
Korçë- Ndërkohë që në Morinë ka patur fluks të shtuar të shqiptarëve të Kosovës që vijnë në Shqipëri për të festuar festën e Flamurit, në Kapshticë ka patur fluks në dalje të vendit me shqiptarë të cilët kanë zgjedhur të festojnë në Greqi.
Për shkak të problemeve me sistemin e ri në palën greke, ka patur trafik kilometrik në doganë. Qindra qytetarë janë drejtuar për në Greqi në kuadër të ditës së festës pasi shumë prej tyre kanë marrë pushime dhe duan të shfrytëzojnë edhe fundjavën. Kolonat e mjeteve janë krijuar që prej orëve të para të mëngjesit, duke sjellë pritje të gjata në dalje të territorit shqiptar.
Pala shqiptare po operon me tre sportele në dalje për të përballuar rritjen e trafikut. Megjithatë, problemi kryesor raportohet të jetë nga pala greke, e cila ka vënë në funksion një sistem të ri kontrolli. Ky sistem, herë pas here, ka hasur vështirësi teknike, duke ngadalësuar procesin e përpunimit të dokumenteve dhe shtuar radhët në kufi.
Autoritetet shqiptare njoftojnë se janë në komunikim të vazhdueshëm me homologët grekë për të marrë masa të menjëhershme, me qëllim shmangien e pritjes së gjatë dhe uljen e fluksit të mjeteve që presin për të hyrë në Greqi. Versus.al

