AKTUALITET /

U la në burg, agjenti i antiterrorit që mbronte grupin e Visit të Pojës: Më kanë përdorur emrin, s'kam patur SkyEcc

Haxhiaj ishte mes të arrestuarve në Shqipëri në kuadër të operacionit të SPAK me autoritetet italiane

Shkruar nga Versus
U la në burg, agjenti i antiterrorit që mbronte grupin e Visit të
Igli Haxhiaj

Igli Haxhiaj, agjenti i antiterrorit i arrestuar dje me urdhër të SPAK për operacionin e përbashkët antidrogë me Italinë, do të vijojë të qëndrojë në burg. Sot Gjykata e Posaçme la në fuqi masën “arrest me burg” për Haxhiajn i cili akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

Gjatë seancës së konfirmimit të masës, Haxhiaj mohoi akuzat duke thënë se nuk ka komunikuar kurrë në aplikacionin "SkyEcc" dhe se emri i tij është keqpërdorur pa patur ai dijeni. Në kohën kur dyshohet se ka ndihmuar grupin e Elvis Doçit që njihet si "Visi i Pojës", Haxhiaj ka qenë oficer i policisë "Operacionale", ndërsa së fundmi kishte ndjekur një kurs trajnimi për agjent të antiterrorit. 

Ndërsa të arrestuarit e tjerë në Shqipëri, Asti Llupi, Altin Shehaj dhe Erald Salla do të dalin para gjykatave të rretheve pasi janë prangosur me qëllim ekstradimi për shkak se masat ndaj tyre janë dhënë nga gjykata e Breshias në Itali.

Dje u bë me dije se plot 46 shqiptarë po hetohen për përfshirje në trafikun e drogës që transportohej nga Amerika Latine për në vendet e Evropës. Autoritetet italiane dhe shqiptare kanë lëshuar 24 masa sigurie për klanet shqiptare që dyshohet se kanë transportuar plot 1.3 tonë kokainë drejt vendeve të Evropës. Sipas informacioneve, të arrestuarit kanë bashkëpunuar me Visin e Pojës i cili dyshohet se është kreu i një prej grupeve më të fuqishëm në Shqipëri që kryente transport ndërkombëtar droge. Elvis Doçi ndodhet në arrati dhe 6 muaj më parë u godit sërish nga autoritetet italiane falë operacionit "Ura". Versus.al

Poll