Çfarë do të gjeni në brendësi
Mbahet ceremonia zyrtare në Vlorë, Rama e Osmani përulen para flamurit kuqezi

Në Vlorë është mbajtur ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit kombëtar në kuadër të festës së 28 nëntorit. Të pranishëm ishin disa prej drejtuesve politikë më të lartë shqiptarë duke nisur nga kryeministri Edi Rama e deri tek presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Këtë herë, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ishte i pranishëm në ceremoni, ndryshe nga herët e tjera.
Pas ceremonisë, drejtuesit politikë shqiptarë përshkuan sheshin ku u përshëndetën me qytetarët e pranishëm të mbledhur për festime. Versus.al
Fluks në Morinë, mijëra shqiptarë të Kosovës kalojnë kufirin për të festuar Ditën e Flamurit

Mijëra shqiptarë kanë kaluar së fundmi kufirin e Morinës për të hyrë në Shqipëri ku do të festojnë 28 nëntorin, ditën e flamurit kombëtar. Shumica prej tyre kanë kaluar pikën kufitare të Morinës me automjete private, por edhe me autobusë.
Për të festuar ditën e shënuar, qyteti më i preferuar mbetet Vlora, por udhëtarët janë shprehur për mediat se do të vizitojnë edhe qytete të tjera. Sipas shifrave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Morinës janë futur 64 autobusë, ndërsa në total kanë hyrë 17,789 shtetas dhe 4,651 automjete.
Deri më tani nuk raportohen vonesa pasi për të përballuar fluksin e madh të hyrjeve e daljeve, janë vënë në funksion 10 sportele duke bërë të zbatueshme marrëveshjen e lëvizjes së lirë mes 2 shteteve shqiptare. Versus.al
Lindi në ditën e Flamurit kombëtar, legjendari Adem Jashari do të festonte ditëlindjen e 70-të

Një tjetër fakt interesant për 28 nëntorin është edhe se sot legjendari Adem Jashari do të festonte ditëlindjen e 70-të nëse do ishte gjallë. Nipi i tij, Bashkim Jashari e ka kujtuar përmes një postimi në rrjetet sociale, teksa ka uruar edhe Ditën e Flamurit.
“Gëzuar ditëlindjen, o Flamurtar, o Kryekomandanti ynë Adem Jashari! Gëzuar 28 Nëntorin”, shkruan Bashkim Jashari.
Adem Jashari, i lindur më 28 nëntor 1955 në Prekaz të Skenderajt, ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit dhe njëri prej figurave më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai, së bashku me vëllanë e tij Hamzën, mori pjesë në shumë aksione kundër forcave policore-ushtarake serbe, duke u bërë simboli i rezistencës së armatosur për lirinë e vendit.
Pas mbylljes të institucioneve të Kosovës në vitin 1990, ideja e organizimit ushtarak mori formë të qartë, ndërsa më 3 nëntor 1991 një grup veprimtarësh, mes tyre edhe pjesëtarë të Jasharëve, kaluan në Shqipëri për stërvitje ushtarake. Veprimtaria e tyre u ndoq nga shërbimet sekrete serbe dhe më 30 dhjetor të atij viti, një ekspeditë e policisë dhe ushtrisë serbe ndërmori aksion për t’i kapur.
Nga ajo ditë, grupi i Adem Jasharit kaloi në ilegalitet, deri në shpërthimin e luftës së hapur çlirimtare.
Intensifikimi i aksioneve të UÇK-së u pa sidomos në shtator të vitit 1997, me sulmet kundër 12 stacioneve policore. Mbi këto përleshje u ngrit një fazë e re e rezistencës së armatosur, që kulmoi me betejën e Rezallës së Re në fund të nëntorit 1997, ku forcat e UÇK-së, të prira nga Adem Jashari e të shoqëruara nga luftëtarë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti e të tjerë, ndalën një kolonë të rëndë serbe. Kjo u vlerësua si fitorja e parë e madhe e UÇK-së dhe mori jehonë të gjerë.
Shtëpia e Jasharëve ishte prej kohësh e shënjuar. Më 5 mars 1998, që në orët e para të mëngjesit, forca të mëdha policore dhe ushtarake serbe rrethuan Prekazin, të mbështetura me artileri të rëndë nga disa drejtime. Sulmi vazhdoi për tre ditë, 5, 6 dhe 7 mars, ndërsa familja Jashari qëndroi heroikisht brenda shtëpisë. Kjo qëndresë hyri në histori si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sakrifica e kësaj familjeje la gjurmë të pashlyeshme. Bernard Kouchner, administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, pati deklaruar se sikur të ekzistonte një Çmim Nobel për lirinë, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij. Me vendim të ish-presidentit Fatmir Sejdiu, komandanti legjendar u nderua me titullin “Hero i Kosovës”.
Adem Jashari erdhi në jetë në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe u përjetësua po nën hijen e atij flamuri. Vdekja e tij, e ngjashme me mitet e lashta të heroizmit, i dha atij një vend të pakrahasueshëm në historinë e kombit. Shtëpia, familja dhe varrezat e Prekazit sot dëshmojnë realitetin e një qëndrese që, po të mos ishte dokumentuar nga vetë jeta, do të dukej si legjendë.
Adem Jashari lindi më 28 nëntor dhe u bë i pavdekshëm, një emër që sot qëndron si simboli më i fortë i lirisë dhe i flamurit më të bukur në botë. Versus.al
“S’ka komb në botë që ta ketë fatin kaq të lidhur me një datë”, Kurti për 28 nëntorin: Amaneti i të parëve, të mos copëtohemi

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka uruar të gjithë shqiptarët për festën e pavarësisë. Kurti shkruan se nuk ka komb tjetër në botë që ta ketë fatin kaq të ndërthurur me një datë të caktuar, teksa përmend edhe zanafillën e 28 nëntorit duke nisur që nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ai përmend rilindasit Samir Frashëri e Luigj Gurakuqi të cilët theksonin se qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë që të mos copëtohet prej të huajve. Më tej shkruan se përpjekjet ndër shekuj janë kurorëzuar me Shqipërinë dhe Kosovën të pavarur, por shton se amaneti i të parëve duhet të përmbushet.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Nuk dihet të ketë një tjetër komb në botë që fati i tij të jetë ndërthurur kaq pazgjidhshmërisht me një datë të caktuar ashtu siç gërshetohet data 28 Nëntor me fatin e kombit tonë. Kjo ditë e 28-të e muajit të njëmbëdhjetë vërtet ishte një aksident historik i vitit 1443, por një aksident i këtillë, i përsëritur me kaq ngulm përgjatë historisë, doemos u kthye dhe u bë një shenjë e shenjtë e kalendarit tonë kombëtar. Në këtë datë, mbi Kështjellën e Krujës, u ngrit flamuri kuq e zi i Kastriotëve, që u kthy e u bë edhe flamur yni kombëtar. Kështu nisi rrugëtimi i nëntorëve tanë që erdhën e u lidhën si hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm, duke shënuar jo vetëm data kalendari, por edhe rrugën e lirisë sonë.
Pas shumë shekujsh, më 28 nëntor 1912, ky flamur u ngrit prapë në Vlorën e Labërisë, kur u shpall mëvetësia e Shqipërisë së sotme Administrative. Ky ishte Nëntori ynë i Dytë. Në këtë shpallje u njëmendësua një pjesë e projektit larpamës të Sami Frashërit, i cili kishte paraparë një Shqipëri në kufijtë e përafërt të katër vilajeteve. Ai theksonte qartë që “qëllimi i vetëm i shqiptarëve është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohet prej të huajve, të mbajnë gjuhën e kombësinë e tyre”. Por kjo, për fat të keq, në atë kohë u arrit vetëm pjesërisht. Për më tepër, në kujtimet e tij, në përvjetorin e parë të pavarësisë, në vitin 1913, Luigj Gurakuqi shprehej se “në jetën e kombevet, si edhe në jetën e njerëzve ndodhin hera-herë disa rasa të paprituna, që trazojnë rrjedhën e punëve dhe shkaktojnë disa ngjarje, që as nuk pritej, as nuk shpresohej të ndodhnin. Ashtu kishte ngjarë në vitin 1912, mot i mbushur me mjerime e me pësime, por që, në mes të trazimeve e të ligave të panjohura, kishte sjellë edhe nji send të pashpresuar e të paçmueshëm, dmth. lirinë, bashkimin dhe pavarsinë e Atdheut!”
Megjithëkëto, historia e nëntorëve tanë nuk mbaron këtu. Në po këtë datë, në vitin 1955, në kullat e Jasharëve në Prekaz lindi Kryekomandanti i UÇK-së, Adem Jashari, njeriu që do të vihej në ballë të luftës për lirinë e Kosovës. Po ashtu, më 28 nëntor të vitit 1997, UÇK-ja, për herë të parë, doli publikisht për t’ia bërë me dije botës se ky popull ishte i gatshëm të bënte çdo flijim dhe nuk do të hiqte dorë kurrë nga lufta për liri. Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur.
Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!
Vëllezër shqiptarë e motra shqiptare, kudo që gjendeni, mes familjeve e miqve tuaj, në këtë ditë gëzimi e feste:
Gëzofshi 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit! Versus.al
"28 nëntori", aktivitete në të gjithë vendin, Vlora "kryeqytet" për Ditën e Flamurit! Politika uron festën

Në të gjithë vendin do të mbahen aktivitete festive në nder të 113 vjetorit të pavarëisë së Shqipërisë. Festimet nisën që prej mbrëmjes së djeshme në Shkodër me “sofrën e pavarësisë”. Sot do të vijojnë në të gjithë vendin duke kulmuar në Vlorë e cila si zakonisht do të kthehet në “kryeqytet” për 28 nëntorin.
Ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit në Vlorë do të nisë në orën 10:00 me nderime tek varri i Ismail Qemalit, parada, ekspozita, panaire, shfaqje folklorike, koncerte rinore dhe koncertin e madh festiv në mbrëmje.
Edhe Tirana do të jetë e mbushur me aktivitete duke nisur festën në orën 10:00 me ceremoninë e nderimit të flamurit. Zona e Pazarit të Ri do të shndërrohet në një hapësirë të madhe festive me aktivitete tradicionale ku të rriturit dhe fëmijët do të shijojnë gatime shqiptare e performance folklorike.
Në bulevard, tek instalacioni “Trumpeta”, Ansambli Popullor i Tiranës do të sjellë një performancë të veçantë që premton emocione dhe atmosferë të ngrohtë. Një koncert i dedikuar fëmijëve do të zhvillohet në Kopshtin Zoologjik, ndërsa Parku Rinia do të presë një sërë aktivitetesh të hapura për të gjithë publikun.
Për ditën e veçantë ka patur urime nga politikanët shqiptarë. "MIRËMËNGJES dhe Gëzuar Ditën e Pavarësisë"- shkroi shkurtimisht kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
Kryeparlamentari Niko Peleshi me anë të një video të akteve themeluese të shtetit shqiptar shprehu nderim për themeluesit e shtetit shqiptar për vizionin e tyre.
“Nga faqet që shkruan historinë, te dita që na bashkon të gjithëve! Dokumentet themeluese të shtetit shqiptar mbeten busulla jonë historike, duke na kujtuar se liria dhe shtetësia jonë nisën pikërisht nga këto faqe që i dhanë formë Shqipërisë.
Ato shënojnë momentet tona më të rëndësishme identitare dhe ambicien për një Shqipëri të lirë, sovrane dhe europiane. Nderim për themeluesit tanë dhe rrugën shtetformuese që ata shtruan me vizion e guxim. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”- shkruan Peleshi.
Edhe ish-presidenti Ilir Meta ka uruar shqiptarët për festën e cila e gjeti në burg për të dytën herë që pas arrestimit të tij më 21 tetor 2024. Meta shkruan se patriotizmi duhet të mbetet pishtari i përhershëm i shqiptarëve.
“Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, simbolit më përbashkues, më të shenjtë dhe më të dashur për çdo shqiptar kudo ndodhet. Si çdo 28 Nëntor, përulemi me respekt dhe nderim të thellë para veprës së pavdekshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Adem Jasharit, që me qëndresë, sakrifica sublime dhe vizion mbrojtën identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Përjetë mirënjohës Atit të Shqipërisë dhe themeluesit të shtetit tonë modern, Ismail Qemalit, i cili 113 vite më parë, së bashku me Etërit e Pavarësisë, shpallën në Vlorë më 28 Nëntor 1912 Pavarësinë e Shqipërisë.
Patriotizmi, sakrificat dhe gjaku i derdhur për Flamurin Kombëtar duhet të mbeten pishtari ynë i përhershëm, drita që na ndriçon mendjet, na hap sytë dhe na udhëheq drejt rrugës së drejtë për të mbrojtur Shqipërinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, ku sot dhe mot pas moti shqiptarët dhe fëmijët e tyre meritojnë të jetojnë në liri, me dinjitet, krenarë dhe të begatë. Gëzuar Ditën e Pavarësisë, Shqipëria jonë e dashur!”- shkruan Ilir Meta. Versus.al
Sot 113 vite pavarësi! 28 nëntori, festa që bashkon shqiptarët në të gjitha trojet ku flitet shqip

Sot mbushen plot 113 vite nga 28 nëntori i vitit 1912 kur Shqipëria u shpall e pavarur nga perandoria Osmane. Autori kryesor i deklaratës së Pavarësisë ishte Ismail Qemali i cili më pas shërbeu edhe si kryeministër dhe ministër i Jashtëm i qeverisë së përkohshme shqiptare.
Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, por 40 ishin firmëtarët që nënshkruan Aktin e Pavarësisë. Në këtë 113-vjetor, festohet kudo ka shqiptarë, duke qenë të bashkuar me mendje e zemër rreth flamurit kombëtar.
Data 28, është e veçantë për shqiptarët, duke qenë se në këtë datë, në dy vite të ndryshme kanë ndodhur dy ngjarje historike për Shqipërinë. Më 28 nëntor 1443, heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e saj. Kjo datë hapi një faqe të re në historinë e qëndresës shekullore antiosmane. Zoti i Arbërisë, ashtu siç Gjergj Kastrioti e nënshkroi veten, la fushëbetejën e Nishit, për t’iu drejtuar Krujës në krye të 300 kalorësve.
469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si “nëntori i dytë”, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili i cili ngriti flamurin në Vlorë.
28 Nëntori është shpallur gjithashtu ditë festë edhe në Republikën e Kosovës. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke deklaruar “Me një zâ venduan që Shqipëria të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”.
Ismail Qemali ishte nisur që më 19 nëntor nga Triestja drejt brigjeve të Shqipërisë për të shpallur pavarësinë.
Më 21 nëntor, do të zbarkonte në Durrës prej vaporit të Llojdit austriak “Baron Bruck”. Në këtë qytet u prit në qelën e Dom Nikollë Kacorrit, i cili do të ishte pas një jave edhe zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së 28 nëntorit. Sipas letërkëmbimit mes Eqrem Bej Vlorës dhe Mustafa Krujës, ngritja e flamurit ishte menduar të bëhej më 22 nëntor në Durrës, me qëllim parandalimin e përparimit të mëtejshëm të ushtrive pushtuese në territorin e vendit.
Por, për shkak të gjendjes së nderë në qytet, Ismail Qemali lajmëroi telegrafisht delegatët nga mbarë vendi që të drejtoheshin për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë.
Ndërkohë që forcat serbe përparonin me shpejtësi drejt Shqipërisë së Mesme, rrethet patriotike të Elbasanit (25 nëntor), të Tiranës e Durrësit (26 nëntor), të Kavajës, të Peqinit dhe të Lushnjës (27 nëntor), ngritën flamurin kombëtar, pa pritur mbledhjen e Kuvendit të Vlorës. Një fakt interesant është se Radio Tirana filloi për herë të parë transmetimet e saj më 28 nëntor të vitit 1938. Ndërsa në 28 nëntor të vitit 1955 lindi komandanti legjendar, Adem Jashari.
Në vitet e fundit është bërë traditë që liderat shqiptarë të të gjitha trevave shqipfolëse të mblidhen në Vlorë për të festuar përvjetorin e pavarësisë së vendit. Versus.al
