
Eria Ago, ish e dashura e Safet Bajrit do qëndrojë në qeli, pasi GJKKO nuk pranoi kërkesën e saj për zëvëndësim të masës së sigurisë.
Ago u arrestua në muajin mars të këtij viti, nën dyshimin e SPAK se ajo drejtoi një makinë që u përdor për vrasjen e Fatbardh Licit të ndodhur në gusht të vitit 2018 në Kiras të Shkodrës. Pavarësisht se 31 vjeçarja i ka mohuar akuzat e prokurorisë për përfshirjen e saj në këtë ngjarje, pretendimet e saj nuk janë marrë parasysh nga gjykata.
Për ekzekutimin e Fatbardh Licit, SPAK ka ngritur akuzat “Vrasje me paramendim”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” ndaj Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe Astmer Bilalit. Në shkurt u arrestua Safet Bajri i cili fillimisht u paraqit në policinë e Shkodrës dhe më pas forcat "RENEA" e shoqëruan në Tiranë. Ai po hetohet edhe për mundësinë e përfshirjes në masakrën e Dobraçit të ndodhur në tetor të vitit të kaluar ku mbetën të vrarë 4 persona, mes të cilëve edhe një çift të moshuarish që pafajshëm. Versus.al







