Altin Halili, 46 vjeçari që i shpëtoi atentatit të djeshëm me armë zjarri në Berat ka folur sot për shkaqet të cilat mund ta kenë vënë atë nën shënjestër të të shtënave.
Ndërkohë që policia po punon për identifikimin e personave që mund të kenë qëlluar ndaj tij, Halili ka dyshime se ngjarja lidhet me një vrasje që ka bërë në vitin 1997, krim për të cilin kreu 12 vite burg.
“Dyshoj hakmarrje për vrasjen që bëra në 1997, s'kam konflikt tjetër”, raportohet të ketë thënë ai para grupit hetimor.
Halili ka qenë duke lëvizur me automjet pranë shkollës private kur 3 persona hapën zjarr me breshëri plumbash ndaj tij.
“Pashë që më kishte zënë pritë një makinë dhe brenda ishin njerëz të maskuar”- ka thënë Halili.
Në 1997 Halili vrau Sokol Kaloshin dhe në 2010 pasi doli nga burgu iku në Itali, e prej atëherë, për 14 vite nuk ishte kthyer më në Shqipëri. Versus.al








