Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin, ku një 27-vjeçar u mor peng nga pesë të rinj, të cilët e mbajtën për disa orë në një apartament dhe e dhunuan fizikisht dhe psikologjikisht, duke e detyruar të dorëzonte 5 mijë euro.
Sipas hetimeve, krimi u krye në mënyrë të organizuar, dhe autorët janë të rinj nga 21 deri në 25 vjeç.
Policia ka arritur të lokalizojë dhe arrestojë dy prej tyre, ndërsa tre të tjerët janë shpallur në kërkim. Në pranga ka rënë gjithashtu babai i njërit prej të arrestuarve, pasi gjatë kontrollit në banesë i është gjetur një pistoletë.
Të arrestuarit janë shtetasit Lusjan Kimza, Asmireld Nimani dhe Agustin Kimza.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni i koduar “Kufizimi”.
I hoqën lirinë për disa orë, një 27-vjeçari, dhe e dhunuan fizikisht atë, në një apartament, që t’iu jepte 5000 euro, identifikohen 5 shtetas. Vihen në pranga 2 prej tyre, shpallen në kërkim 3 bashkëpunëtorët.
Vihet në pranga dhe babai i njërit prej të arrestuarve, pasi iu gjet në banesë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Sekuestrohen pistoleta, 5000 euro, 6 celularë dhe 1 automjet.
Menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i ishte hequr liria dhe ishte dhunuar, me qëllim dhënien e një shume parash, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit “Kufizimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar të rastit, u kapën dhe u vunë në pranga 2 prej tyre, shtetasit L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim 3 bashkëpunëtorët, shtetasit K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive dyshohet se këta 5 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit. Shtetasit L. K., M. M. dhe K. N. i kanë hequr lirinë, për disa orë, 27-vjeçarit, dhe e kanë dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti. Pasi 27-vjeçari iu ka dhënë 5000 euro, ata e kanë kanosur sërish atë, që t’iu jepte një shumë tjetër parash.
Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shtetasit A. K, 60 vjeç, (babai i shtetasit L. K.), ku u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte shtetasi L. K. u gjetën 5000 euro (dyshohet shuma e parave që i ishte marrë 27-vjeçarit).
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurosisë, për veprime të mëtejshme./Versus.al
