Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shqipëria është një nga vendet që mund të merret në konsideratë për të pritur palestinezët e zhvendosur nga Rripi i Gazës. Kjo ide u përmend nga Trump gjatë një deklarate ku ai foli për një plan të mundshëm amerikan për kontrollin dhe zhvillimin e enklavës palestineze.
Sipas Trump, zhvendosja e një pjese të popullsisë palestineze do të ndihmonte në stabilizimin e rajonit, por ai nuk dha detaje mbi mënyrën se si mund të realizohej një plan i tillë dhe nëse ai ka diskutuar këtë mundësi me qeverinë shqiptare apo partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Deklarata e Trump ka hapur debat mbi ndikimin që një skenar i tillë mund të ketë për Shqipërinë dhe politikën rajonale. Deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë reaguar zyrtarisht për këtë çështje, por vendi ka një histori të pritjes së grupeve të zhvendosura, siç ndodhi me refugjatët afganë pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani në vitin 2021.
Presidenti 78-vjeçar u pyet se "a po merrni në konsideratë vende të tjera për të dërguar palestinezët përveç Egjiptit, si Shqipëria apo Indonezia?"
"Po, sigurisht. Dhe kemi vende të tjera që duan të përfshihen. Kemi shumë njerëz që duan të përfshihen. Ekziston një ndjenjë e madhe dëshire për të ndihmuar palestinezët",-tha Trump.
Këtë deklaratë Trump e bëri gjatë një takimi në Uashington me mbretin Abdullah II të Jordanisë, ku u diskutua mbi planin e Trump për rindërtimin e Gazës dhe largimin e palestinezëve nga territori i tyre.
Në fund të muajit, Egjipti pritet të paraqesë një plan për këtë çështje dhe ta diskutojë me Jordaninë dhe Arabinë Saudite. Vendet arabe kanë qenë historikisht kundër çdo përpjekjeje për dëbimin e palestinezëve nga territoret e tyre, duke e konsideruar një akt që shkel të drejtat e popullsisë vendase. /Versus.al/







