Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses tre operacione të njëpasnjëshme në qarkun e Fierit, duke çuar në pranga tre shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Operacionet, të koduara “Operacionalja 61”, “Operacionalja 62” dhe “Operacionalja 63”, u zhvilluan nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, bazuar në informacione të sigurta në terren.
Të arrestuarit janë identifikuar si Kledis Shermadhi, 24 vjeç, Ardit Mehdiu, 29 vjeç, dhe Emiseldo Fasko, 22 vjeç, të tre banues në Fier.
Ata akuzohen nga Gjykata e Riminit në Itali për përfshirje në një organizatë kriminale dhe trafikim narkotikësh, vepra penale për të cilat parashikohet një dënim deri në 10 vite burgim.
Sipas hetimeve të kryera nga autoritetet italiane, tre të rinjtë dyshohet se gjatë periudhës qershor–dhjetor 2024 kanë bashkëpunuar mes tyre dhe me persona të tjerë, duke blerë sasi të mëdha lëndësh narkotike me qëllim shpërndarjen në qytetin e Riminit.
Arrestimet e fundit vijnë në kuadër të një serie operacionesh të intensifikuara nga Policia e Shtetit për të kapur personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Aktualisht, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po ndjek procedurat për ekstradimin e tyre drejt Italisë, ku do të përballen me drejtësinë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohen 3 operacione të tjera nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohen operacionet policore të koduara “Operacionalja 61”, “Operacionalja 62” dhe “Operacionalja 63”. Vihen në pranga 3 shtetas të cilët akuzohen nga autoritetet italiane, si pjesëtarë të një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara, kapën gjatë 3 operacioneve të zhvilluara në qarkun e Fierit, 3 shtetas të kërkuar nga autoritetet italiane, konkretisht:
-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 61”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Kledis Shermadhi, 24 vjeç, banues në Fier;
-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 62” u kap dhe u vu në pranga Ardit Mehdiu, 29 vjeç, banues në Fier;
-Në kuadër të operacionit “Operacionalja 63” u kap dhe u vu në pranga shtetasi Emiseldo Fasko, 22 vjeç, banues në Fier.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Riminit, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”. Maksimumi i dënimit: 10 vjet burgim.
Ata akuzohen se gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë blerë sasi të mëdhaja droge, me qëllim shitjen në qytetin e Riminit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve në Itali./Versus.al







