Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra tre punonjës të Policisë në Elbasan për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për nënkomisarin Theofan Telo dhe dy inspektorët Andeta Lici dhe Avni Bahja.
Sipas AMP-së tre punonjësit nuk kanë marrë masa për parandalimin e arratisjes nga dhoma e sigurisë së dy të shtetasve.
Duke përfituar nga rrëmuja për shkak të rikonstruksionit të godinës së komisariatit dy persona të ndaluar për grabitje me dhunë, Ervis Peqini e Nazmi Liçi më 31 dhjetor 2024 arritën të arratiseshin nga paraburgimi.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë) ka ekzekutuar urdhërin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” për punonjësit e policisë të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” si më poshtë vijon;
N/Komisar Th.T., me detyrë Specialist për rendin pranë Komisariatit të Policisë Elbasan
Inspektor A.L., me detyrë Ndihmës Specialiste pranë Zyrës së Informacionit në Komisariatin e Policisë Elbasan
Inspektor A.B., me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë pranë DVP Elbasan.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga AMP, dyshohet se këta punonjës policie, në mospërmbushje të rregullt të detyrave të tyre funksionale, me veprime dhe mosveprime, nuk kanë marrë masa për parandalimin e arratisjes nga dhomat e sigurisë / shoqërimit të Komisariatit të Policisë Elbasan, të shtetasve N.L. dhe E.P., ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, të dyshuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 31/12/2024 Drejtoria Rajonale e AMP-së ka bërë ndalimin me iniciativë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” ndaj punonjësit të policisë Inspektor Dh.D., me detyrë Trupë shërbimi vend roje në dhomat e shoqërimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë për "Shpërdorim i detyrës" edhe punonjësit e policisë Inspektor A.H., me detyrë Trupë shërbimi vënd roje në DVP Elbasan dhe Inspektor A.B., me detyrë Përgjegjës i Dhomave të Sigurisë në DVP Elbasan.
Vijojnë veprimet hetimore për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjës të tjerë të policisë në DVP Elbasan./Versus.al








