
Pesë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Angli në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Njësisë Kombëtare të Personave në Kërkim pranë National Crime Agency.
Sipas dokumenteve të Gjykatës së Ekstradimeve City of Westminster Magistrates’ Court në Londër, arrestimet janë kryer gjatë katër javëve të fundit me qëllim ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.
Mes të arrestuarve është Renato Hasani, 37 vjeç, i cili fshihej në Angli dhe kërkohej nga drejtësia shqiptare për konspiracion në shitjen e lëndëve narkotike.
Në pranga ka rënë edhe Murat Mehmeti, 62 vjeç, i arrestuar në zonën Enfield në veri të Londrës. Ai ishte dënuar në vitin 2014 me 1 vit e 4 muaj burg për falsifikim, dënim i konvertuar në shërbim prove.
Sipas autoriteteve, Mehmeti u largua nga Shqipëria pa përmbushur detyrimet e shërbimit të provës, duke bërë që gjykata të aktivizonte dënimin me burg.Versus.al

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al

