
Pas rreth tre orësh tubim para Kryeministrisë, mijëra qytetarë kanë nisur marshimin në rrugët e qytetit, në vijim të protestës që po zhvillohet prej 15 ditësh.
Prej dy javësh e më shumë, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.
Gjatë marshimit, rrugët e kryeqytetit u mbushën me flamuj kuq e zi, ndërsa u dëgjuan thirrje të ndryshme si “Revolucion”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëria nuk shitet”.
Protesta ka vijuar për disa orë, me grumbullime në sheshin "Skenderbej" dhe më pas marshim në akse të ndryshme të qytetit.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al

