Një emër që për vite me radhë kishte lëvizur në hije, tashmë është zbuluar dhe ndaluar. Në kufirin e Hanit të Hotit, një 44-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar ra në rrjetën e operacionit të koduar “The Wanted” - "I kërkuari".
I identifikuar si Lazër Vladaj, i njohur edhe me emrin Cristian Manea, ai po përpiqej të largohej nga Shqipëria, ndoshta për herë të fundit. Por këtë herë, nuk arriti të kalojë pa u vënë re.
Falë bashkëpunimit mes Policisë Kufitare dhe Interpol Tiranës, në koordinim me Interpol Romën, u krye arrestimi për qëllim ekstradimi, duke i dhënë fund arratisë së tij.
Gjykata e Apelit e Peruxhias, në Itali, e ka dënuar me 5 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “Shfrytëzim prostitucioni në bashkëpunim”.
Vladaj ishte zhdukur prej kohësh nga sytë e organeve ligjzbatuese, por figuronte në listën e personave më të kërkuar nga autoritetet italiane, si pjesë e një rrjeti të strukturuar kriminal.
Procedurat e ekstradimit tashmë kanë nisur, dhe çështja pritet të mbyllet së shpejti me kthimin e tij para drejtësisë italiane.







