Pas më shumë se tri javësh, që kur ishte shpallur i humbur, është gjetur pa shenja jete trupi i një 77-vjeçari të zhdukur në Pgradec. Viktima është identifikuar si Nazif Muço, i cili ishte larguar nga banesa që më 6 qershor dhe nuk ishte parë më që prej asaj dite.
Ishte bashkëshortja e tij që ngriti alarmin, duke kallëzuar zhdukjen në polici.
Trupi i të moshuarit u gjet në zonën e fshatit Piskupat, i pajetë, por i 'mbështjellë' nga misteri. Forcat e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje, ndërsa hetimet kanë nisur për të zbardhur rrethanat e vdekjes.
Ende nuk ka të dhëna të qarta për shkaqet që çuan në ndarjen nga jeta të 77-vjeçarit. Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje që ka tronditur familjarët dhe komunitetin lokal.







