Athinë – Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Artemidës, në Greqi, ku një shtetas shqiptar, Altin Arapaj, 41 vjeç, është vrarë me armë zjarri. Sipas mediave greke, autori dyshohet të jetë një mik i tij, ende i paidentifikuar nga autoritetet.
Pas plagosjes, Arapaj ka arritur të telefonojë bashkëshorten e tij, duke i treguar se ishte qëlluar nga një mik dhe se autori ishte larguar nga vendi i ngjarjes. E alarmuar, 36-vjeçarja ka përdorur aplikacionin Find my iPhone për të gjurmuar vendndodhjen e telefonit të burrit të saj.
Së bashku me një patrullë të njësisë speciale të policisë greke, DIAS, ajo ka mbërritur në kryqëzimin e rrugëve Arionos dhe Anemoessas, ku është gjetur celulari i përgjakur, por jo trupi i viktimës.
Pas kërkimeve intensive në zonë, policia e ka gjetur 41-vjeçarin pa shenja jete, vetëm pak metra larg vendit ku u gjet telefoni. Hetimet janë në vijim për të identifikuar dhe arrestuar autorin e dyshuar të krimit./Versus.al







