AKTUALITET /

"S'kam dëshirë të marr pjesë', Veliaj mungon në GJKKO: Nuk më kanë dhënë fashikujt e dosjes hetimore

Shkruar nga Versus

"S'kam dëshirë të marr pjesë', Veliaj mungon

Seanca gjyqësore në themel ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj ka nisur që prej orës 10:00 në Gjykatën e Posaçme. Në gjyq janë nën akuzë 19 persona, ndërsa 11 të tjerëve u është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar.

Ndërkohë, Veliaj ka refuzuar edhe këtë herë që të jetë i pranishëm në seancë duke kërkuar që t’i vihen në dispozicion 24 fashikuj të dosjes hetimore.

“Kam dijeni për seancën. Nuk dëshiroj të marr pjesë, pasi nuk më janë vënë në dispozicion 24 fashikujt dhe provat digjitale”- është shprehur ai.

Ndërsa seanca vijoi, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca përsëriti kërkesën që mediat të transmetonin live duke e cilësuar këtë si të drejtë kushtetuese të kryebashkiakut.

Gjyqi mbahet për: Shoqëria “PALUSHI”, Shoqëria “GERARD-A”, sh.p.k., Shoqëria “FUSHA”, sh.p.k., Shoqeria “LANI”, sh.p.k., Organizata Jofitimprurëse Qendra “HARABEL”, Organizata Jofitimprurëse BYL-A (Balkan Youth Link Albania), Organizata Jofitimprurëse Qendra “MUZA”, Organizata Jofitimprurëse Qendra “EVENTUS”, Erion Veliajn, Arjola Xoxën, Erald Simixhiun, Linda Kazani, Meriman Palushi, Mirton Lika, Shkëlqim Fusha, Sokol Kryeziu dhe Valmir Xoxa.

Diskutimet në GJKKO:

Avokati Ndreca: Veliaj thotë që nuk më janë vënë në dispozicion aktet. Duhet t’i garantohet njohja me aktet, pastaj të vijojë gjykimi.

Prokurori Ols Dado: Nuk shoh arsye pse mund të shtyhet gjykimi, gjykata i ka vënë në dispozicion aktet.

Avokati i Veliajt: Ashtu si relatuat, z. Veliaj ka pohuar se ende nuk i janë vënë në dispozicion të gjitha aktet, akte që ju morët vendim për t’ju vënë. Për të qenë të sinqertë, në orën 3 e gjysmë u njoftuam nga sekretaria gjyqësore që janë dorëzuar aktet. Veliajt duhet t’i lihet koha e nevojshme të njihet me to për të pasur mundësinë e një mbrojtjeje efektive.

Prokurori Ols Dado: Aktet procedurale, që vendosi gjykata, i përkasin të pandehurve të tjerë. Bëhet fjalë për episode të veçanta, që i përkasin personave të veçantë. Nuk shoh arsye për të shtyrë seancën.

Gjykata vendos të vijojë seancën. “Vënia në dispozicion e akteve të kërkuara, për nga natyra e tyre, nuk përbën shkak për ndërprerjen dhe shtyrjen e seancës”, u shpreh gjykata.

Gjykata: Me datë 3.6.26 është marrë vendim nga zv/kryetari i gjykatës për kërkesën për heqje dorë nga gjykimi të anëtarit Besmir Stroka nga trupa gjykuese. Zv/kryetari ka vendosur të mos e pranojë këtë kërkesë.

Avokati i Veliajt: Ne kemi kundërshtim për gjyqtaren Flora Hajredinaj. Do të paraqesim kërkesë, sipas ligjit, për këtë qëndrim.

Avokati Dritan Jahaj, për të pandehurit Mirton Lika dhe “Lani sh.p.k.”: Vlerësojmë se kjo gjykatë nuk është kompetente për shqyrtimin e të mbrojturve prej nesh. As Mirton Lika e as “Lani sh.p.k.” nuk janë funksionarë të lartë. Nuk ka as bashkëpunim. Veçimi ynë nuk e pengon procesin, madje ne do cenoheshim po të qëndronim në të njëjtën çështje me të pandehurit e tjerë.

Avokati Ndreca: Prezenca e medias është e drejtë kushtetuese. Është bërë si vendimmarrje institucionale. Fakti që vjen në sallë një punonjëse e gjykatës, dhe kush është dakord ose jo për kamerat, është ndërhyrje te gjykata. Është vendimmarrje që cenon procesin. Vendimmarrja për kamerat i përket vetëm trupës gjyqësore. Këmbëngul që moslejimi i kamerave është goditje e drejtpërdrejtë e të drejtës kushtetuese që kanë mediat për të transmetuar procesin live. Kërkoj lejimin e kamerave në këtë proces. Së dyti, duhet të garantohet prezenca e Veliajt i lirë jashtë kafazit të xhamit. Janë 9 faqe me shkrim që cenojnë prezumimin e pafajësisë, dinjitetin njerëzor, dhe dëmtojnë një mbrojtje efektive. Mosprezenca e tij në këtë nivel mbrojtjeje ndikon drejtpërdrejt në këtë proces, për sa kohë nuk i sigurohen kushtet kushtetuese Veliajt. Ka një komunikim mes Komitetit të Helsinkit dhe gjykatës së posaçme. Helsinki ka vlerësuar t’i drejtohet gjykatës se prezenca në kafazin e xhamit është cenim i dinjitetit njerëzor. Kafazi është kthyer në detyrim, duke mos vlerësuar rrezikshmërinë e zotit Veliaj, i cili nuk paraqet asnjë rrezik. Për rrjedhojë, kërkoj që të garantoni që Veliaj të jetë përkrah avokatit të tij. Versus.al

Poll