Policia e Lezhës në bashkëpunim me forcat speciale RENEA kanë arrestuar Jetmir Llanajn i shpallur në kërkim për gjobvënie ndaj bizneseve.
Sipas njoftimit të policisë dyshohet se Llanaj në bashkëpunin me 3 shtetas të tjerë iu vendosnin gjoba bizneseve duke i kanosur me armë.
Gjatë kontrollit të ushtruar këtyre shtetasve iu janë sekuestruar 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 automjet të blinduara të cilat përdoreshin më veprimtari kriminale.
Vite më parë Llanaj ka qenë në burg për vrasje pasi u hakmorr për djalin e tij nëntë vjeçar, Indrit Llani i cili u vra më 5 qershor të 2022-it.
Llani u dënua me 25 vite burgim nga shkalla e parë, por Apeli i uli dënimin, ndërsa mësohet se prej disa muajsh ndodhej në liri.
Njoftimi i policisë:
Kapet nga Forca Speciale “RENEA”, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, me precedent për vrasje dhe në kërkim për gjobëvënie ndaj bizneseve. Si rezultat i ndërhyrjes së specializuar policore të shërbimeve të Forcës Speciale “RENEA”, në mbështetje të shërbimeve operacionale të Policisë së Lezhës dhe të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, u mundësua lokalizimi në Mamurras, neutralizimi dhe vënia në pranga e shtetasit të shpallur në kërkim, J. Ll., 46 vjeç.
Nga hetimet e kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Lezhë dhe Prokuroria e Lezhës, dyshohet se ky shtetas dhe 4 të tjerë (konkretisht 1 shtetas i arrestuar dhe 3 shtetas të proceduar penalisht, më datë 19.02.2025), të organizuar si grup, iu vendosnin gjoba bizneseve, duke ushtruar presion dhe kanosur me armë, me qëllim përfitimin pasuror të padrejtë. Gjatë veprimeve hetimore në lidhje me këtë veprimtari kriminale, këtyre shtetasve iu sekuestruan 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 automjete të blinduara, të cilat përdoreshin për të kryer veprimtarinë kriminale të shtrëngimit me anë të kanosjes, për dhënie pasurie. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme
Ngjarja e 5 qershorit 2012
Përplasja e ndodhur më 5 qershor të këtij viti ndërmjet familjeve Shkreta dhe Llani, ku mbeti i vrarë Indrit Llani do të niste dhe hasmërinë ndërmjet dy fiseve.
Jetmir Llani humbi djalin e tij të vogël, Indritin, ndërsa i vëllai u plagos kur mesditën e 5 qershorit djaloshi së bashku me të vëllanë, kushërirën, nënën e tij dhe xhaxhanë po udhëtonin me makinë. Vëllezërit Altin dhe Vladimir Shkreta akuzohen se i kanë dalë para makinës dhe kanë qëlluar me breshëri automatiku. Pak ditë më vonë policia arrestoi autorët, ndërsa më 19 korrik plumbat i morën jetën Mark Shkretës, 71 vjeç babait të vëllezërve Altin dhe Vladimir.
Vrasja u shënua në rrugën Hoxha Tahsim në Tiranë dhe policia akuzoi Jetmir Llanin si autorin e dyshuar.
Jetmir Llani dhe vëllai i tij Muharrem Llani u dënuan me nga 25 vite burg.
Jetmir Llani ka qenë i dyshuar edhe për atentatin në fshatin Shpërdhet të Fushë Mamurrasit, ndaj Gentian dhe Emanuel Shkretës, djemve të 71-vjeçarit të ekzekutuar, Mark Shkreta. Ngjarja ndodhi në nëntor 2012, ndërsa humbi jetën Gentian Shkreta./Versus.al







