Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, ka kapur në Greqi një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 9-vjeçari më 1997.
Bëhet fjalë për Kostandin Nishku, 59 vjeç, i cili përdorte një identitet të falsifikuar shqiptar (H.V.) për t’u fshehur.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur pasi 9-vjeçari u vra nga Nishku për hakmarrje, pasi xhaxhai i të miturit kishte vrarë vëllanë e tij dhe ishte arratisur nga IEVP-ja.
Kapja e tij është rezultat i bashkëpunimit disavjeçar ndërmjet Policisë Shqiptare, Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, duke përdorur edhe teknologjinë e krahasimit të fytyrës. Nishku do të ekstradohet në Shqipëri për t’u vënë para drejtësisë.
Operacioni tregon efektivitetin e bashkëpunimit ndërkombëtar të strukturave policore për të kapur autorët e krimeve të rënda.
59-vjeçari, i cili është dënuar në vitin 1998, me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta”, iu fshihej autoriteteve në Greqi, ku përdorte një identitet shqiptar të falsifikuar (H. V.).
Në muajin mars, 1997, Kostandin Nishku dhe shtetasi R. K., kanë shkuar të armatosur në shtëpinë e shtetasit K. B dhe kanë kërkuar vëllanë e këtij të fundit, shtetasin V. B., i cili ishte arratisur nga IEVP ku vuante dënimin për vrasjen e vëllait të shtetasit Kostandin Nishku, në vitin 1993.
Pasi shtetasi K. B. dhe familjarët e tij nuk i janë përgjigjur kërkesës së 59-vjeçarit, mbi vendndodhjen e shtetasit V. B., Kostandin Nishku ka qëlluar me armë zjarri drejt më të voglit të familjes, duke vrarë djalin 9 vjeçar të shtetasit K. B.
Bashkëpunimi ndërmjet strukturave homologe të INTERPOL-it vijon, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri./Versus.al

