AKTUALITET /

Vetëm online, gjithçka gati për “Banka Jet” në Shqipëri, pronari izraelit i ndryshon emrin, aksionet ia kalon kompanisë së hapur në shtator

Banka Jet do jetë e para bankë digjitale në Shqipëri që do të funksionojë vetëm online pa zyra fizike.

Shkruar nga Versus

Vetëm online, gjithçka gati për “Banka Jet” në

Në dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi licensimin e Bankës Jet e cila do të jetë banka e parë tërësisht online në Shqipëri. Ndërsa tanimë rezulton se banka ka formalizuar një sërë ndryshimesh në regjistrin tregtar për të nisur edhe aktivitetin si institucion plotësisht digjital.

Në të dhënat zyrtare të depozituara në QKB shoqëria ka ndryshuar emrin e saj nga “Jet Bank” që e kishte fillimisht në “Banka Jet” duke përditësuar objektin e aktivitetit në përputhje me legjislacionin bankar shqiptar.

Vetëm online, gjithçka gati për “Banka Jet” në

Kapitali i regjistruar arrin në 3.5 miliardë lekë. Pavarësisht se është e regjistruar si bankë tregtare, Banka Jet ende nuk e ka përdirësuar informacionin mbi pronarët përfundimtarë përfitues. Pronar vijon të rezultojë izraeliti Idan Avishai. Por me licensimin si bankë, Jet ka regjistruar njëkohësisht edhe ndryshimin e pronësisë duke deklaruar shitjen e kuotave nga shtetasi britaniko-izraelit Idan Avishai tek shoqëria e regjistruar në Holandë, Jet Holdings.

Për këtë të fundit ajo çfarë dihet nga informacioni zyrtar është se ka 6 shoqëri aksionere:

Constador LTD, shoqëri e regjistruar në Qipro, me afërsisht 71.5% të aksioneve;

Don Albania Holdings LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me  afërsisht 3.7% të aksioneve;

Ori Eyal LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me afërsisht 2.6% të aksioneve;

Yebogogo, LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 4.9% të aksioneve;

Nathan Laërence LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 4.9% të aksioneve;

Israel Albania HoldingLTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 12.4% të aksioneve.

 Informacioni rreth këtyre shoqërive është i pakët duke lënë përshtypjen se mund të jenë themeluar enkas për pjesëmarrjen në këtë investim në Shqipëri. Aksionari i ri direkt, i bankës, Jet Holdings rezulton një shoqëri e themeluar në shtator të vitit 2025.

Një bankë e tillë me administratore Fatbardha Rinon, do të jetë një “eksperiment” për t’u parë në Shqipëri pasi do të operojë plotësisht në mënyrë digjitale pa degë fizike dhe me fokus tek shërbimet online për individë dhe biznese. Versus.al

Poll