AKTUALITET /

Arrestohet në Turqi vëllai i Visit të Pojës

Ai ishte në kërkim në kuadër të një operacioni të gjerë të zhvilluar nga autoritetet italiane, ku Gjykata e Breshias kishte lëshuar 24 masa sigurie ndaj anëtarëve të një grupi kriminal të dyshuar për trafikimin e rreth 1.3 tonëve kokainë gjatë një periudhe pesëvjeçare, nga viti 2020 deri në 2025.

Shkruar nga Versus
Arrestohet në Turqi vëllai i Visit të Pojës
Visi i Pojës

Bledar Doçi, vëllai i Elvis Doçit, i njohur ndryshe si Visi i Pojës, është arrestuar në Turqi, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për trafik të lëndëve narkotike.

Ai ishte në kërkim në kuadër të një operacioni të gjerë të zhvilluar nga autoritetet italiane, ku Gjykata e Breshias kishte lëshuar 24 masa sigurie ndaj anëtarëve të një grupi kriminal të dyshuar për trafikimin e rreth 1.3 tonëve kokainë gjatë një periudhe pesëvjeçare, nga viti 2020 deri në 2025.

Në muajin maj 2025, 14 persona u arrestuan me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit të koduar “Ura”, i cili goditi një rrjet kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Operacioni kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar, të përfshira në trafikimin e kokainës dhe heroinës, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.

Hetimet për këtë rrjet kanë nisur që në vitin 2016 dhe u intensifikuan pas vitit 2020, duke zbuluar se droga trafikohej drejt Italisë dhe vendeve të tjera evropiane. Sipas dosjes hetimore, rrjeti kriminal drejtohej nga Elvis Doçi, i njohur si Visi i Pojës, i cili bashkëpunonte me grupe të tjera kriminale të drejtuara nga Adi Çoba dhe Erigels Presi.

Të ardhurat nga trafiku i drogës futeshin në ekonomi përmes kompanive, pasurive të paluajtshme, mediave lokale, sektorit të transportit dhe bareve. Organizata ishte e strukturuar në tre nëngrupe kriminale, një me bazë në Durrës dhe dy të tjerë në Itali, konkretisht në rajonin e Puglias.

Elvis Doçi vijon të jetë në kërkim në kuadër të operacionit “Ura”. Ai njihet me nofkën Visi i Pojës, pasi është nipi i Xhevdet Troplinit, i njohur ndryshe si Poja./Versus.al

Poll