
Gjykata e Lartë Federale e Brazilit ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin nga burgu të Ervin Matës, duke lënë në fuqi arrestin e tij gjatë procedurave për ekstradim drejt Shqipërisë.
Sipas vendimit të gjykatës braziliane, masa e arrestit parandalues me qëllim ekstradimi do të vijojë të jetë në fuqi, ndërsa nuk është pranuar kërkesa për zëvendësimin e saj me masa të tjera sigurie.
Vendimi është marrë më 21 korrik 2026 nga ministri Alexandre de Moraes, relator i çështjes së ekstradimit ku kërkues është Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Euronews shkruan se "autoritetet shqiptare kanë kërkuar ekstradimin e Matës për procedim penal për akuzat e trafikut të lëndëve narkotike, pjesëmarrjes në organizatë kriminale dhe grup të strukturuar kriminal.
Në dokumentin e gjykatës bëhet e ditur se masa e arrestit parandalues ndaj tij ishte caktuar më 11 mars 2025, ndërsa arrestimi nga Policia Federale braziliane u ekzekutua më 25 prill 2026.
ja e Ervin Matës kishte kundërshtuar kërkesën për ekstradim dhe kishte kërkuar heqjen e arrestit, duke pretenduar se nuk ishin respektuar afatet procedurale dhe duke ngritur çështje që lidhen me juridiksionin për veprat e dyshuara penale.
Gjykata e Lartë braziliane i ka rrëzuar këto pretendime, duke vlerësuar se kërkesa zyrtare për ekstradim ishte paraqitur dhe rikonfirmuar sipas procedurave ligjore.
Në vendim theksohet gjithashtu se Prokuroria e Përgjithshme e Brazilit kishte mbajtur qëndrim në favor të vijimit të procedurës së ekstradimit dhe kundër lirimit të Matës.
Me këtë vendim, Ervin Mata mbetet në arrest në Brazil, ndërsa vijon shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.
Vendimi i autoriteteve braziliane lidhet vetëm me masën procedurale gjatë procesit të ekstradimit dhe nuk përbën një përcaktim mbi fajësinë apo pafajësinë e tij për akuzat e ngritura nga drejtësia shqiptare./Versus.al

