
Një drejtues i një mjeti lundrues Jet Ski është ndëshkuar me gjobë dhe mjeti i tij është bllokuar nga Policia Kufitare, pasi u konstatua duke kryer manovra të rrezikshme pranë zonës së sigurisë për pushuesit në Gjirin e Livadhit.
Sipas njoftimit të policisë, sinjalizimi është bërë nga pushues të zonës, të cilët kanë raportuar se një Jet Ski po lëvizte në mënyrë të rrezikshme, duke krijuar rrezik për jetën e personave që ndodheshin në det.
Pas ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, u bë identifikimi i mjetit lundrues dhe drejtuesit të tij, shtetasi A. L., banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit, efektivët konstatuan se drejtuesi nuk kishte dokumentacionin e nevojshëm për mjetin lundrues. Për këtë shkelje, ai u ndëshkua me masë administrative prej 10 mijë lekësh të rinj, ndërsa Jet Ski u bllokua.
Policia Kufitare bën me dije se kontrollet përgjatë vijës bregdetare do të vijojnë për parandalimin e shkeljeve dhe garantimin e sigurisë së pushuesve gjatë sezonit turistik.
Njoftimi
Kreu manovra të rrezikshme në afërsi të perimetrit të sigurisë, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare bllokuan mjetin lundrues Jet Ski.
Ndëshkohet me gjobë 10 000 lekë të rinj drejtuesi i një mjeti lundrues për shkelje të rregullave të lundrimit.
Në vijim të kontrolleve intensive për garantimin e rendit dhe sigurisë në hapësirat detare, shërbimet e Policisë Kufitare u sinjalizuan nga qytetarë që po pushonin në Gjirin e Livadhit se një mjet lundrues Jet Ski po kryente manovra të rrezikshme në afërsi të perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare evidentuan në Gjirin e Livadhit mjetin lundrues Jet Ski, me drejtues shtetasin A. L., banues në Tiranë. Mjeti ishte raportuar nga pushuesit pranë Policisë Kufitare dhe pamjet e tij ishin publikuar edhe në rrjetin social JOQ.
Gjatë kontrollit rezultoi se drejtuesi i mjetit lundrues nuk dispononte në bord dokumentacionin e detyrueshëm. Për këtë shkelje, ai u ndëshkua me masë administrative 10 000 lekë të rinj, si dhe u bë bllokimi i mjetit lundrues.
Policia Kufitare vijon kontrollet e pandërprera në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë në det, parandalimin e shkeljeve të perimetrit të sigurisë dhe zbatimin me përpikëri të rregullave të lundrimit./Versus.al

