AKTUALITET /

Eskalon konflikti për pronën në Rrjoll/ Ish-drejtori i Kadastrës pretendon se i kanë dh*nuar djalin, banorët e mohojnë

Një përplasje e ashpër për pronën në Rrjoll, Shkodër ka përfunduar me plagosje dhe akuza të ndërsjella mes familjes Shpellzaj dhe banorëve lokalë, ndërsa policia po heton ngjarjen dhe po mban të dyja palët nën vëzhgim.

Shkruar nga Versus
Eskalon konflikti për pronën në Rrjoll/ Ish-drejtori i
Prek Molla

Një konflikt pronësor në fshatin Rrjoll të Shkodrës u përshkallëzua në dhunë mbrëmjen e djeshme, duke përfshirë edhe djali i ish-drejtorit të Kadastrës, Fatmir Shpellzaj.

Sipas Shpellzajt, djali i tij dhe një shok u sulmuan barbarisht jashtë ambienteve të një televizioni, duke pësuar fraktura dhe duke kaluar natën në spital.

Ngjarja lidhet me pretendimet e banorëve të Rrjollit, të cilët akuzojnë Shpellzajn për falsifikim dokumentesh dhe grabitje prone që më pas ia ka dhënë ndërtuesit Bashkim Ulaj për ndërtimin e një resorti luksoz.

Përfaqësuesi i banorëve, Prekë Molla, e ka mohuar versionin e Shpellzajt, duke thënë se djali i ish-drejtorit e ka provokuar fillimisht dhe ishte i shoqëruar me persona të armatosur.

Kjo situatë thotë Molla, provokoi dhe banorët e tjerë të pranishëm, të cilët u kundërpërgjigjën. Si pasojë thotë ai, disa prej tre kanë mbetur të lënduar, ndërsa pretendon dhe për kërcënime nga ana e djalit të Fatmir Shpellzajt.

Prekë Molla gjithashtu ka publikuar dhe një foto të automjetit të tij me xhamin e parmë të thyer, duke pretenduar se është veprim i djalit të Fatmir Shpellzës dhe personave të tjerë që e shoqëronin. Prekë Molla ka thënë se ata i janë afruar me qëllim për t’i marrë dokumentet duke menduar se djali i Shpellzës ishte vetëm.

Policia ka shoqëruar palët në komisariat dhe po heton ngjarjen, ndërsa tensionet në Rrjoll vazhdojnë prej më shumë se një muaji për çështjen e pronës.

Reagimi i plotë i Fatmir Shpellzës:

Sapo dola nga Spitali i Traumës, ku për orë të tëra kam qëndruar pranë tim biri, i cili u masakrua brutalisht nga një tufë njerëzish që në vend të dokumenteve, kanë në dorë vetëm dhunën.

Ata që kanë dhunuar varret e familjes sime, dje dhunuan edhe djalin tim dhe kjo nuk është më një çështje prone.

Ngjarja ndodhi dje pasi zgjodha të shkoj për të mbrojtur të vërtetën time në emisionin Opinion përballë disa personave që prej kohësh  kanë ngritur një histori të rreme mbi Rrjollin, duke manipuluar ndjeshmërinë e njerëzve dhe duke u paraqitur si pronarë apo trashëgimtarë të një toke për të cilën nuk kanë asnjë dokument.

Gjithmonë e kam ditur me kë kam të bëj dhe kam qenë i përgatitur për më të keqen, por ata po kalojnë çdo kufij ligjor, moral dhe njerëzor.

Në ambientet e televizionit Klan, ku unë isha për të mbrojtur të vërtetën time, ata sulmuan barbarisht djalin tim, i cili kishte ardhur vetëm për të më shoqëruar.

Gjithashtu, sulmuan fizkisht shokun e tij duke i shkaktuar fraktura të rënda të dyve.

Si një çetë e tërbuar nga fakti që dokumentet dhe ligji janë kundër tyre, e tërhoqën zvarrë dhe e dhunuan në mënyrën më të rëndë, deri sa përfunduam në spital, ku qëndruam deri në mëngjes, aq sa pas Spitalit Nënë Tereza na u desh të kalojmë për mjekim më të specializuar tek Trauma.

Gjithashtu, këta persona, kanë kanosur avokaten time, zonjën e nderuar mbrojtëse e cila dje ka marrë telefonata kërcenuese nga më të rëndat.

I bëj thirrje urgjente Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që të reagojnë menjëherë dhe të vendosin drejtësinë për këtë akt barbar, sepse askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta.

U kërkoj ndjesë qytetarëve për këtë situatë të rëndë që po krijohet rreth kësaj çështjeje.

Gjithashtu i kërkoj ndjesë kompanisë Gener 2, e cila iu afrua kësaj zone me një vizion zhvillimi dhe që sot po detyrohet të përballet me akte primitive që nuk kanë asnjë lidhje me qytetarinë.

Të dashur shqiptarë, unë kam vetëm një armë: Dokumentet dhe të vërtetën./Versus.al

Poll