Policia e Fierit ka bërë me dije se ditën e nesërme do të ndërmerren masa të posaçme për të garantuar sigurinë rrugore dhe mbarëvajtjen e etapës së fundit të turit të 82-të çiklistik të Shqipërisë.
Në kuadër të këtij eventi sportiv, Policia Rrugore ka përgatitur një plan të detajuar masash, që përfshin kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë kryesore të qytetit të Fierit dhe zonave përreth, për të siguruar zhvillimin normal të garës dhe mbrojtjen e pjesëmarrësve.
Sipas njoftimit zyrtar, bllokimet do të jenë si më poshtë:
Autostrada Vlorë – Fier – Unaza e Fierit, nga ora 10:00 deri në orën 11:15;
Rruga Fier – Savër, nga ora 10:50 deri në orën 12:00;
Segmenti Savër – dalje në Levan, nga ora 11:45 deri në orën 13:00;
Rruga Levan – Qendër Fier, nga ora 12:40 deri në orën 13:15.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë zhvillimit të aktivitetit, si dhe të shmangin lëvizjen në këto akse gjatë orareve të përcaktuara, për të mos penguar garën dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve.
Në përfundim të garës, qarkullimi do të rikthehet normalisht.







