Shpendi Malo, 34 vjeç, është shpallur një nga personat më të kërkuar në Europë, duke u përfshirë në listën zyrtare të “Europe’s Most Wanted” të publikuar nga Europol.
Sipas autoriteteve gjermane, Malo dyshohet se më 11 shtator 2019 ka vrarë me thikë një 27-vjeçar, gjithashtu me origjinë shqiptare, në një pyll urban në Halle (Saale) të quajtur Dölauer Heide.
Pas krimit, ai tentoi të fshihte trupin duke e hedhur në një kanal dhe mbuluar me gjethe, por trupi u zbulua katër ditë më vonë nga kalimtarë të rastësishëm.
Hetuesit dyshojnë se motivi i vrasjes ka qenë një konflikt i mundshëm në fushën e trafikut të drogës, por ende nuk është përjashtuar mundësia e përfshirjes së bashkëpunëtorëve.
Në përshkrimin e dhënë nga Europol, Malo në vitin 2019 ishte me flokë të errët, të drejtë, trup i dobët dhe ka disa nishane në fytyrë, njëri prej tyre më i madh poshtë syrit të djathtë.
Europol e konsideron atë të rrezikshëm, dhe u bën thirrje qytetarëve që të mos i afrohen, por të njoftojnë menjëherë policinë ose autoritetet e tjera të sigurisë, në rast se kanë informacion për vendndodhjen e tij. /Versus.al/







