
Policia e Shkodrës në një njoftim të saj shkruan se një pako me lëndë të dyshuara plasëse është gjetur ditën e djeshme në lagjen '3 Heronjtë' në Shkodër.
Sipas uniformave blu dyshohet se kjo lëndë plasëse është hedhur nga Mikelian Toma dhe David Simoni para se ata të arrestoheshin më 26 mars.
“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 26.03.2025, për arrestimin e shtetasve M. T. dhe D. S., të cilët nuk iu bindën urdhrit të Policisë, për të ndaluar motomjetin me të cilin lëviznin, me targë të vjedhur dhe me numër shasie të ndryshuar, bëjmë me dije se nga kontrollet e kryera në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, dje, në lagjen “3 Heronjtë”, është gjetur një pako me lëndë të dyshuar plasëse, e cila dyshohet se është hedhur aty, nga këta shtetas, më datë 26.03.2025. Pakoja u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, njoftoi sot policia.
Dy të rinjtë u arrestuan më 26 Mars, pasi gjatë patrullimit uniformat blutë kanë konstatuar në lagjen “Ndoc Mazi” motomjetin ku udhëtonin Mikelian Toma dhe David Simoni që lëvizte me shpejtësi dhe i kanë bërë shenjë ndalimi.
Por, 32-vjeçari Mikelian Toma, i cili drejtonte motomjetin dhe 34-vjeçari David Simoni, pasagjer, nuk iu bindën urdhrit të Policisë duke u larguar.
Shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje dhe e kanë ndaluar motomjetin, duke vendosur në pranga dy të rinjtë.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se targa e motomjetit me të cilin ata lëviznin ishte vjedhur në Tiranë dhe motomjetit i ishte ndryshuar numri i shasisë.
Ditën e arrestimit të dy të rinjve, blutë kanë kryer kontrolle në automjetet e Mikelian Toma dhe David Simoni, ku janë gjetur një bidon me lëndë djegëse, një silenciator dhe një sasi kokaine.
Ndërkohë 3 ditë pas arrestimit të tyre, më 29 Mars, policia raportoi se 32-vjeçari Mikelian Toma kishte në përdorim një banesë tjetër në fshatin Dajç, pronari i së cilës shtetasi me iniciale G.V., është rezident në Itali.
Nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, 2 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se i kishte siguruar dhe i mbante Mikelian Toma.
Njoftimi i policisë:
Policia gjen dhe sekuestron 2 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak.
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të veprimeve hetimore lidhur me arrestimin e dy shtetasve M. T., dhe D. S., të cilët u arrestuan më datë 26.03.2025, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Vjedhje”, e kryer në bashkëpunim, pasi nuk iu bindën urdhrit të Policisë, për të ndaluar motomjetin e vjedhur me të cilin lëviznin, kanë siguruar informacion se njëri prej shtetasve të arrestuar kishte dhe një banesë tjetër në përdorim.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi M.T, kishte në përdorim banesën e shtetasit G.V., në fshatin Dajç (pronari i banesës rezident në Itali).
Nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale, 2 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se i kishte siguruar dhe i mbante shtetasi i arrestuar M.T.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.








