Tiranë- Gjykata e Posaçme shtyu sërish seancën ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit. Shkak për shtyrjen u bë mungesa e dy avokatëve mbrojtës të cilët kishin paraqitur si arsyetim angazhimin në procese të tjera.
Ndaj tyre gjykata ka vendosur gjobë me 5 mijë lekë të reja duke e cilësuar mungesën e tyre si shkak për shtyrjen e procesit gjyqësor. Në seancën e mëparshme, Mediu dhe avokatët e tij kishin kërkuar që ekspertët ushtarakë të paraqiteshin në gjykatë gjatë seancës së kësaj të mërkure.
Katër ekspertët ishin sot të pranishëm në Gjykatë ndërsa njëri prej tyre, Fatmir Bozdo, në moshën 72-vjeçare me probleme shëndetësore, i tha gjykatës se nuk mund të paraqitet herë tjetër.
Seanca e radhës u caktua në datë 18 dhjetor në orën 09:00. Mediu është marrë i pandehur për tragjedinë e Gërdecit ku vdiqën 26 persona. Ndaj tij rëndon akuza për “shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim. Versus.al








