
Këngëtari Luiz Ejlli është shpallur sot i pafajshëm me vendim të gjykatës së Apelit në Tiranë, pasi shkalla e parë e gjykatës së Fierit e kishte dënuar me 1 vit burg për falsifikim.
Gjykata e Apelit Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka pranuar kërkesën ankimore të avokatëve Arbër Hoxha dhe Dritan Metani, duke ndryshuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Fier dhe deklaruar të pafajshëm të pandehurit Luiz Ejlli dhe Fatmir Avdurramani, personi që kishte përfituar nga akti i kryer prej Ejlllit, gjatë kohës që ky i fundit nuk ishte noter, por përdori vulën.
Tashmë ish-banori i Big Brother mund ta konsiderojë të mbyllur betejën me drejtësinë që përkon me një vepër penale të dyshuar të kryer gjatë kohës që punonte si noter.
Prokuroria e akuzonte Luiz Ejllin se pavarësisht se i ishte hequr licensa si noter, ai vazhdonte të mbante vulat dhe kishte falsifikuar një document notarial për justifikimin e një shume prej 210 mijë eurosh të Fatmir Avdurrahmani. Ky i fundit u dënua me 18 muaj burg, por me vendimin e sotëm të Apelit edhe ai u shpall i pafajshëm. Versus.al








