AKTUALITET /

Gjyqi për dosjen “Partizani”, Balla: Nuk bëj kallëzim me emër tjetër, drejtësia vonon, por nuk harron

Shkruar nga Versus
Gjyqi për dosjen “Partizani”, Balla: Nuk bëj kallëzim
Taulant Balla

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka përfunduar dëshminë e tij në GJKKO për çështjen “Partizani”, ndërsa pas seancës ka folur për mediat duke komentuar procesin dhe zhvillimet e mëtejshme.

Balla u shpreh se fakti që në bankën e të akuzuarve ndodhen persona që kanë qeverisur vendin për dekada, është sipas tij një sinjal pozitiv për drejtësinë në Shqipëri.

“Fakti që në bankën e të akuzuarve ka persona që këto 35 vite kanë qeverisur vendin dhe akuzohen për korrupsion e fshehje pasurie është lajm i mirë për gjithë shqiptarët. Uroj që procesi të jetë i drejtë dhe përgjegjësia penale të shkojë te gjithkush që ka këto përgjegjësi,” deklaroi ai.

Ai theksoi se kallëzimin e ka bërë personalisht dhe se i qëndron plotësisht pretendimeve të ngritura prej tij disa vite më parë.

“Unë nuk jam nga ata persona që bëjnë kallëzim me emër tjetër. Kam vënë emrin tim dhe i qëndroj atyre që kam kallëzuar. Drejtësia vonon, por nuk harron,” u shpreh Balla.

Më tej, ai shtoi se privatizimi i kompleksit sportiv “Partizani” ka ndryshuar destinacionin e një hapësire që sipas tij duhej të ishte në shërbim të të rinjve të Tiranës.

“Kompleksi sportiv ‘Partizani’, që mund të ishte në dobi të të rinjve të Tiranës, sot është kthyer në 17 kulla që kanë prodhuar pasuri,” tha ai.

Balla bëri gjithashtu një lidhje me çështjen e 21 janarit 2011, duke shprehur dëshirën që të thirret si dëshmitar edhe në atë proces.

“Uroj që në ditët dhe muajt në vijim të jem këtu për një kallëzim tjetër, atë për 21 janarin. Ka një vendim të Gjykatës së Lartë dhe të Strasburgut dhe një regjistrim nga prokuroria e posaçme,” u shpreh ai.

I pyetur nëse kryeministri Edi Rama do të paraqitet si dëshmitar në këtë çështje, Balla u përgjigj shkurt:

“Është përgjegjësi individuale paraqitja në gjykatë. Unë mbaj përgjegjësi për ato që kam kallëzuar.”/Versus.al

Poll