
Një rast i futjes së sendeve të ndaluara është goditur nga policia e burgjeve në IEVP Rrogozhinë, gjatë kontrolleve rutinë ndaj familjarëve që hyjnë në institucion.
Sipas njoftimit të Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, një shtetase që kishte shkuar për takim me bashkëshortin e saj të dënuar është kapur duke tentuar të fusë një telefon celular në ambientet e brendshme të burgut.
Gjatë kontrollit fizik, aparati telefonik tip “Samsung Smart” është gjetur i fshehur në pjesën e pasme të pulpës së këmbës, i mbështjellë me fashë farmaceutike, me qëllim shmangien e zbulimit.
Menjëherë pas konstatimit të rastit, takimi është pezulluar, është bërë bllokimi i telefonit dhe janë njoftuar autoritetet për veprime të mëtejshme hetimore. Po ashtu është vënë në dijeni edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për vijimin e procedurave.
Autoritetet e burgjeve kanë bërë të ditur se po vijojnë kontrollet edhe në ambientet ku ndodhet i dënuari, ndërsa theksojnë angazhimin për parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në institucionet penitenciare./ Versus.al

