AKTUALITET /

Mbetjet kancerogjene të 'Kurum' apo 'Plazhi i Manastirit', për çfarë u thirr Mirela Kumbaro në SPAK?

Shkruar nga Versus
Mbetjet kancerogjene të 'Kurum' apo 'Plazhi i
Mirela Kumbaro ne SPAK

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro është paraqitur këtë të enjte në ambientet e SPAK, në një zhvillim që ka ngjallur interes të lartë publik dhe ka shtuar dyshimet për lidhje të mundshme me hetimet mbi skandalin e mbetjeve të rrezikshme.

Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme, mund të jenë dy arsye për të cilat Ministrja është përfolur dhe më parë.

E para mund të jetë në kuadër të verifikimeve që lidhen me menaxhimin dhe eksportin e mbetjeve industriale gjatë periudhës kur Kumbaro ka mbajtur detyrën e ministres së Turizmit dhe Mjedisit.

Hetimet përfshijnë një sasi prej rreth 2800 ton mbetjesh të dyshuara toksike të prodhuara nga procese industriale, të administruara nga kompani private dhe të përfshira në tentativa për eksport jashtë vendit.

Dy anije me këto ngarkesa janë ndaluar dhe kthyer pas dyshimeve për përmbajtje të rrezikshme si kadmium dhe krom.

Në dokumentet e hetimit përmendet edhe një shkresë e datës 20 prill 2022, ku kompanisë “Sokolaj” i është dhënë leje për transport mbetjesh të rrezikshme dhe të parrezikshme, e firmosur nga ministrja e asaj kohe, Mirela Kumbaro.

Si pjesë e hetimeve më të gjera, autoritetet kanë lëshuar 33 urdhër-arreste për persona të ndryshëm, përfshirë përfaqësues kompanish dhe zyrtarë institucionesh si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit.

Ndërkohë, 102 kontejnerë me mbetje të dyshuara janë zhvendosur nga Porto Romano drejt zonës së Vrinës nën masa sigurie.

Sipas ekspertizave ndërkombëtare, këto mbetje klasifikohen si të rrezikshme dhe mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin dhe mjedisin, përfshirë rrezik për sëmundje të rënda dhe ndotje afatgjatë të burimeve ujore.

Çështja e dytë mund të ketë të bëjë me  “Plazhin e Manastirit”, po në kohën kur Kumbaro ishte ministre e Turzmit.

Ministrja e quajti një “pikëz të vogël” atë pjesë që do të shkëputej nga Parku i Butrintit, për t’u kthyer në resort privat nëpërmjet një “investimi strategjik”.

Tashmë, Plazhi i Manastirit, pra ajo “pikëz e vogël” është shndërruar në një masiv vilash prej betoni, të cilat kanë bllokuar tërësisht aksesin e pushuesve në një prej gjireve më të bukura të Rivierës Shqiptare./ Versus.al

Poll