AKTUALITET /

Goditën agjentin e BKH-së dhe policët, Prokuroria e Fierit nis procedimin penal ndaj njerëzve të Agron Kapllanajt

Ata akuzohen se kanë dhunuar fizikisht punonjësit e policisë në incidentin e dy ditëve më parë me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Shkruar nga Versus

Goditën agjentin e BKH-së dhe policët, Prokuroria e Fierit nis

Prokuroria e Fierit ka regjistruar procedimin penal për dy nipërit e Agron Kapllanajt, Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj dhe një personi tjetër, të identifikuar me emrin Gerald Kollçaku pasi akuzohen se kanë dhunuar fizikisht punonjësit e policisë në incidentin e dy ditëve më parë me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Njoftimi i Prokurorisë së Fierit: 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal nr.509, datë 16.04.2025, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 237/3 e 25 të Kodit Penal, mbi bazën e njoftimit nga shërbimet e policisë gjyqësore për një ngjarje të ndodhur në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, Fier.

Menjëherë pas njoftimit, policia gjyqësore nën drejtimin e Prokurorise Fier, ka kryer veprimet e para hetimore nga të cilat është dokumentuar se, një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, kanë qenë duke kryer veprime hetimore në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në aksin rrugor Fier-Patos, në afërsi të fshatit Portëz e Madhe, Fier.

Gjatë kohës që ishin duke kryer veprime, ata janë filmuar nga shtetasi O.I., ç’ka i ka detyruar të largohen nga vendi ku ishin pozicionuar. Rreth 30 minuta më pas, gjatë kohës që ishin duke qendruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga kanë kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, Prokuroria ka paraqitur në gjykatë kërkesën për vleftësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetasve K.K., L.K. dhe G.K.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale të cilat cenojnë jetën e shëndetin e punonjësve të policisë së shtetit dhe të personave që kryejnë detyrë shtetërore apo shërbim publik.

Ish-kryebashkiaku Agron Kapllanaj ka mohuar pretendimin e SPAK që ndaj agjentëve të BKH të jetë ushtruar dhunë fizike.

“Nuk është e vërtetë sepse në momentin e parë, kanë qenë duke filmuar brenda territorit të pronës private dhe nuk janë identifikuar si punonjës të policisë. Po të kishin thënë se ishin oficerë, do u kisha ofruar kushte komode. T’i fusja brenda që ta bënin punën në mënyrë shumë më komode sepse nuk kam asgjë kundër policisë, madje unë mbështes SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë së re. Madje nuk ndryshoj mendim as pas këtij incidenti sepse nuk mundet që një person i vetëm të bëjë pis gjithë drejtësinë e re”- është shprehur Kapllanaj./Versus.al

 

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: