
Ditën e sotme Dhimitër Meci mbeti i plagosur me thikë në Burgun e Malandrinos në Greqi.
Pak ditë më parë ishte transferuar në këtë burg, ku ende pa mbërritur në repartin e tij, u godit nga një shtetas grek.
45 vjeçari nga fshati Labovë e Kryqit në Gjirokastër u arrestua nga autoritetet greke rreth një muaj më parë, i dyshuar si vrasës me pagesë.
Menjëherë, strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale në Shqipëri ushtruan kontrolle në shtëpinë e tij dhe gjetën 3 armë zjarri automatike, 200 fishekë kallashnikovi, 18 pako me fishekë pistolete dhe 5 krehra.
Paraprakisht, bëhet me dije se Dhimitër Meci ka marrë plagë të rënda nga sulmi, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën sepse autoritetet e Burgut të Malandrinos e kanë dërguar në kohë për ndihmë mjekësore.
Personi që e ka qëlluar, është një shtetas grekë i dënuar si anëtarë i një organizate kriminale në Greqi, i cili punon në mensën e burgut dhe aty dyshohet se ka marrë edhe thikën e improvizuar me të cilën ka kryer sulmin.
Dhimitër Meci alias Dhimo Meci apo "Dimos" u arrestua në ditët e para të Dhjetorit 2025 dhe mbahej në Burgun e Koridhalos.
Sot, është vendosur që 45 vjeçari të transferohej dhe gjatë dërgimit për në repartin ku do të akomodohej, ka ndodhur sulmi me thikë. Sipas mediave greke, “Dimos”, një shtetas shqiptar, konsiderohet “pistoleta” e mafies greke.

