Autoritetet belge të drejtësisë, në bashkëpunim me SPAK, janë duke hetuar një grup kriminal të përbërë nga shtetas shqiptarë, të dyshuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
Në dallim nga metodat tradicionale të përdorura nga grupet e tjera kriminale, ky rrjet nuk përdorte më kontejnerë me banane për të transportuar drogën, por kishte krijuar mënyra më të sofistikuara. Sipas hetimeve, kokaina fshihej në vende të posaçme brenda anijeve tregtare, dhe më pas hidhej në det të hapur në zona të përcaktuara me koordinata. Droga mblidhej më pas nga peshkarexha të vogla, ndërsa në një rast dyshohet se është përdorur edhe një nëndetëse.
Hetuesit konfirmojnë se kokaina importohej kryesisht nga Ekuadori dhe Brazili, ndërsa grupi kishte akses në një laborator për përpunimin e drogës në Belgjikë. Rrjeti kishte bashkëpunëtorë në disa vende europiane, në Amerikën Latine, si dhe në Afrikë, prej nga ku dyshohet se janë dërguar ngarkesa droge.
Deri më tani janë sekuestruar rreth 400 kilogramë kokainë në tre raste të ndryshme – dy ngarkesa në portin e Antërepit në Belgjikë dhe një tjetër në portin e Brake në Gjermani.
Hetimi ka identifikuar të paktën 5 persona, ndërkohë që po punohet për të identifikuar të tjerë të përfshirë, të njohur aktualisht vetëm përmes nofkave të tyre.
Sipas informacioneve të mbledhura, anëtarët e grupit komunikonin përmes telefonave të enkriptuar dhe organizonin takime në Dubai dhe në hotele të ndryshme në Belgjikë, ku diskutonin për transportin e ngarkesave të mëdha me kokainë. /Versus.al/







