Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas incidentit në Akademinë e Sigurisë, ku disa studentë dyshohet se u helmuan nga ushqimi i konsumuar në mensë.
Në një deklaratë për mediat, Hita bëri me dije se studentët e prekur paraqitën simptoma të lehta dhe morën ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ai shtoi se policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke arrestuar dy persona përgjegjës për administrimin dhe përgatitjen e ushqimit, ndërsa administratorja e kompanisë catering është shpallur në kërkim.
Sipas tij, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit janë sekuestruar si prova ushqimet dhe lëndët e përdorura për gatim, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e helmimit dhe shkeljet konkrete.
Hita deklaroi gjithashtu se kompania catering vazhdon aktivitetin edhe në institucione të tjera dhe, për momentin, furnizimi me ushqim për studentët nuk është ndërprerë.
“Ka qenë një ngjarje sensitive dhe për ne. Jemi njoftuar se disa prej studentëve kanë shkuar në spital. Gjendja e tyre ishte me simptoma të lehta, jo të rënduara. Kemi marrë masa për të gjithë studentët. Sa i përket veprimeve që ndërmorëm dje, arrestuam 2 personat përgjegjës që kanë kryer pjesën administrative dhe përgatitjen e ushqimeve. U shpall në kërkim dhe administratorja e firmës. U bë në bashkëpunim me AKU, bllokimi i lëndës që u përdor. Aktiviteti i subjektit tregtar nuk është ndërprerë, pasi ka dhe disa institucione të tjera ku vepron. Shkeljet konkrete do të bëhen të ditura në vijim. Për momentin kemi marrë vetëm njoftimin që këta studentë janë helmuar. Edhe sot kemi vazhduar me të njëjtën kompani. Dje u bë bllokimi i lëndëve apo sasitë ushqimore të përdorura nga studentët. Kompania vazhdon të furnizojë studentet edhe sot. Do të vijojë më tej se si do të operohet.”, u shpreh Hita./Versus.al


