Tiranë- Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë zhvilluar së fundmi kontrolle të reja në kuadër të hetimeve ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Mësohet se është kontrolluar një apartament që përdorej nga bashkëshortja e tij Ajola Xoxa. Urdhri për kontrollet është lëshuar nga Gjykata e Posaçme me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e dokumenteve të mundshme apo pajisjeve elektronike që mund të ndihmonin në hetimet e hapura ndaj kreut të bashkisë Tiranë.
Prona ku janë ushtruar kontrollet është pranë zyrave të “Harabel”. Kontrollet kanë nisur mesditën e djeshme (14 Janar), dhe kanë përfunduar rreth orës 18:00 të mbrëmjes. Mbetet e pakonfirmuar çfarë është arritur konkretisht të gjendet por mësohet jo zyrtarisht se janë sekuestruar disa kontrata me vlerë për hetimin. Të njëjtat burime treguan se pak pas mbërritjes së agjentëve të BKH kanë mbërritur edhe shërbimet policore me uniformë, teksa nuk dihet për çfarë është kërkuar asistimi i tyre.
Kontrollet e para ndaj familjarëve të Veliajt janë kryer më 6 dhjetor të vitit të kaluar kur iu sekuestrua telefoni Ajola Xoxës dhe u kontrolluan ambientet e kompanisë “Harabel” ku u sekuestrua një shumë e madhe parash në euro. Kontrolle u zhvilluan gjithashtu në banesën e vëllait të tij Arbër Veliaj dhe në kompaninë e këtij të fundit “Gogël”.
Fillimisht, Veliaj i cili ndodhej në Gjermani në një vizitë dy ditore e mirëpriti hetimin dhe tha se SPAK mund të bëjë të gjitha verifikimet që dëshiron. Por gjithçka ndryshoi pasi kryebashkiaku u thirr për herë të dytë në SPAK më 26 dhjetor, ku qëndroi për më shumë se 5 orë.
Pasi doli ai refuzoi të fliste para mediave, por foli në një dalje të tij gjatë mbledhjes në këshillin bashkiak, duke zbuluar se ishte pyetur lidhur me një kallëzim të bërë nga Nesti Angoni, një person që sipas Veliajt në regjistrat e gjendjes civile nuk ekziston.
Kreu i bashkisë më të madhe e konsideroi hetimin e tij si të sforcuar nga presioni i Partisë Demokratike që vijon me protestat e përjavshme para bashkisë.
Ndërsa institucioni i SPAK reagoi me njoftim zyrtar duke bërë me dije se ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj po zhvillohej një hetim pasuror, por që deri më tani ka të dhëna të arsyeshme për dyshime se ai ka kryer 4 vepra penale. Versus.al








