Një ditë pas paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në SPAK ku u mor në pyetje për 5 orë rresht, Prokuroria e Posaçme ka dalë me një reagim zyrtar.
Sa i takon emrit të bërë publik dje nga vetë Veliaj i cili tha se i ishte ngritur një kurth nga një person që nuk ekiston me emrin “Nesti Angoni”, SPAK ka bërë me dije se denoncimi është bërë për korrupsion pasiv, por pas verifikimeve të kryera janë ngritur dyshime edhe për vepra të tjera penale.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se është arritur në përfundimin se ekzistojnë të dhëna konkrete dhe fakte sipas të cilave ngrihen dyshime se Veliaj ka kryer 4 vepra penale: korrupsion pasiv e aktiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Reagimi i SPAK:
Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si Nesti Angoni, Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.
Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Deri më tani pjesë e hetimit të SPAK kanë qenë edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa të cilës iu sekuestrua telefoni dhe u zhvilluan kontrolle në kompaninë e saj dhe vëllai i tij Arbër Veliaj, ndaj të cilit u ndërmorën të njëjtat veprime. Pavarësisht të gjitha këtyre veprimeve, Veliaj gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak u shpreh se do të vijojë të qëndrojë në krye të bashkisë dhe se do të fitojnë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Versus.al








