
Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme në kuadër të procesit gjyqësor ndaj tij, ku ai është i pandehur nga SPAK për akuzën e korrupsionit në zgjedhje.
Shkreli ka mohuar se ka ofruar apo premtuar përfitime në këmbim të votave, duke deklaruar se komunikimet e tij me banorët lidhen vetëm me problematikat e komunitetit.
“Nuk kam ofruar dhe premtuar asgjë në këmbim të votës. Fshati Stajkë kishte problematikë që në vitin 2019 me energjinë elektrike. Unë çdo ditë bëj telefonata për problematikat e banorëve”, tha Shkreli para gjykatës.
Sa i takon komunikimeve telefonike të përfshira në dosjen e prokurorisë, Shkreli ka sqaruar se ato lidhen me ndërhyrje për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Unë mund të jem sot në përgjim, dje mora një drejtor tjetër sepse kishte problem me dritat në një fshat tjetër. Marr edhe drejtorin e spitalit kur ka problematika dhe më vijnë ankesa”, deklaroi kryebashkiaku.
Duke iu referuar një prej komunikimeve të interpretuara nga prokuroria, Shkreli tha se shprehja “jepi zjarr” nuk kishte lidhje me kërkesa për vota, por me organizimin e një aktiviteti elektoral.
“Mesazhi që prokuroria thotë ‘jepi zjerm’ është që unë kam kërkuar që në takimin elektoral të kishte brohoritje dhe ovacione, jo që të kem kërkuar vota apo të kem ofruar të mira materiale apo vende pune”, u shpreh ai.
Shkreli tha gjithashtu se gjatë fushatës kishte kërkuar pjesëmarrje më të madhe në mitingje, përfshirë aktivitetet e organizuara nga Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate./Versus.al

