
Pas një operacioni të mirëkoordinuar mes forcave operacionale dhe Policisë së Vlorës, është arrestuar ditën e sotme Flodian Plaku, i shpallur në kërkim për vrasjen e ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë, Krujë.
I njohur dhe me nofkën 'Pole Qorri', Plaku u kap në Orikum dhe në momentin e arrestimit iu gjetën dhe 2 pistoleta.
Arrestimi i Plakut vjen pas dy muajsh hetimesh intensive, të cilat çuan në identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit në qytetin e Vlorës.
Sipas hetimeve paraprake, Plaku dyshohet se ka vepruar si vrasës me pagesë, i angazhuar për të eliminuar Bejtjan në kuadër të një hakmarrjeje të porositur.
Më herët për të njëjtën ngjarje është arrestuar edhe Ilir Beqaraj, kunati i Roan Brahimit, një emër i njohur për autoritetet, i cili dyshohet se ka pasur rol organizativ në atentatin ndaj Bejtjas.
Gentjan Bejtja, viktima e atentatit, kishte precedentë penalë dhe pista kryesore e hetimit lidhet me larje hesapesh mes grupeve kriminale, ndërsa ngjarja është konsideruar si pjesë e një zinxhiri hakmarrjesh që përfshin të tjera atentate në zonën e Krujës dhe më gjerë.
SPAK dhe Prokuroria e Krujës janë përfshirë në hetimin e thelluar të kësaj çështjeje, e cila mund të çojë në zbërthimin e një rrjeti më të gjerë kriminal, të specializuar në atentate me pagesë./Versus.al







