AKTUALITET /

Drafti i Kodit të ri Penal, deri në 8 vite burg për tregtimin e ilaçeve pa leje apo të skaduara

Sipas nenit 441 të draftit, kushdo që shkakton qëllimisht një epidemi përmes përhapjes së viruseve ose baktereve patogjenë, do të dënohet me jo më pak se 25 vjet burg dhe deri në burgim të përjetshëm. Edh

Shkruar nga Versus

Drafti i Kodit të ri Penal, deri në 8 vite burg për tregtimin e

Drafti i ri i Kodit Penal, i cili po shqyrtohet aktualisht nga autoritetet, përmban masa të ashpra për mbrojtjen e shëndetit publik, përfshirë dënime të rënda për shkaktimin e epidemive, përhapjen e sëmundjeve infektive dhe abuzimet me tregun farmaceutik. Një kapitull i veçantë i këtij drafti i kushtohet pikërisht mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, me dispozita që mungojnë në Kodin Penal aktual.

Sipas nenit 441 të draftit, kushdo që shkakton qëllimisht një epidemi përmes përhapjes së viruseve ose baktereve patogjenë, do të dënohet me jo më pak se 25 vjet burg dhe deri në burgim të përjetshëm. Edhe kur epidemia shkaktohet nga pakujdesia, parashikohet dënim me burg nga 10 deri në 20 vjet. Ky është një risi në ligjin penal shqiptar, pasi Kodi aktual nuk përmban asnjë dispozitë të posaçme për këtë vepër penale.

Në të njëjtën linjë, neni 444 parashikon ndëshkime për zyrtarët publikë që nuk raportojnë sëmundjet infektive apo pandemike, sipas detyrimeve ligjore. Në këto raste, parashikohen gjoba apo edhe masa administrative. Ndërkohë, mosrespektimi i rregullave të karantinës, urdhrave shëndetësorë apo masave gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, konsiderohet shkelje penale që dënohet deri në 3 vjet burg, në varësi të rrezikut të krijuar.

Një tjetër risi është sanksionimi penal i transmetimit të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Nëse një person është i vetëdijshëm se është i infektuar dhe gjithsesi transmeton qëllimisht sëmundjen, ai do të dënohet nga 2 deri në 6 vjet burg.

Për të frenuar abuzimet në sektorin farmaceutik, drafti i ri parashikon masa të forta ndaj çdo subjekti që prodhon, importon apo tregton barna pa leje, të skaduara apo që përbëjnë rrezik për shëndetin. Për këto raste, dënimi mund të arrijë deri në 8 vjet burg, në varësi të nivelit të rrezikut. Po ashtu, mashtrimi në përmbajtjen, përbërjen apo dokumentacionin e barnave, si dhe çdo veprim që cenon sigurinë, efikasitetin apo cilësinë e produkteve mjekësore, dënohet me nga 2 deri në 8 vjet burg.

Drafti i Kodit Penal ndalon gjithashtu shpërndarjen dhe reklamimin mashtrues të produkteve të dëmshme për shëndetin, veçanërisht kur ato u drejtohen fëmijëve ose personave vulnerabël. Për këto raste parashikohet dënim me gjobë ose deri në 4 vjet burg.

Kur këto vepra penale kryhen nga persona me funksione publike, si mjekë, mësues apo punonjës të institucioneve shtetërore, ato trajtohen si rrethana rënduese dhe dënimi mund të rritet deri në 50%. Në rastet kur përgjegjëse janë kompani ose institucione, ligji parashikon mbyllje të përhershme të aktivitetit, gjoba të shumëfishta si dhe konfiskim të pronës dhe të ardhurave të paligjshme. /Versus.al/

Poll