AKTUALITET /

Shkodër, zbulohen dy parcela me kanabis, asgjësohen mbi 2 mijë bimë narkotike! Dy të arrestuar, nën hetim kryeplaku i Vuklit

Gjatë ndërhyrjes, policia arrestoi në flagrancë 53-vjeçarin P. M., i cili u kap në parcelën ku dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike.

Shkruar nga Versus

Shkodër, zbulohen dy parcela me kanabis, asgjësohen mbi 2 mijë

Policia e Shkodrës ka goditur dy raste të kultivimit të kanabisit në zonat e Shoshit dhe Kelmendit, duke asgjësuar gjithsej 2,098 bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë.

Operacioni u zhvillua në kuadër të aksionit kombëtar "Territor i Pastër", ndërsa në pranga përfunduan dy persona dhe u procedua penalisht kryeplaku i fshatit Vukël.

Në fshatin Ndrejaj u zbuluan 768 bimë cannabis sativa. Gjatë ndërhyrjes, policia arrestoi në flagrancë 53-vjeçarin P. M., i cili u kap në parcelën ku dyshohet se kishte kultivuar bimët narkotike. Gjatë kontrollit pranë banesës së tij u sekuestruan edhe 80 kubikë me fidanë të dyshuar kanabisi.

Ndërkohë, në fshatin Vukël u konstatuan 1,250 bimë të tjera cannabis sativa. Në afërsi të parcelës u arrestua 52-vjeçari A. Ç., i dyshuar për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", ndërsa kryeplaku i fshatit, K. B., 65 vjeç, u procedua penalisht në gjendje të lirë.

Të gjitha bimët narkotike u asgjësuan në vend me anë të djegies, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Policia njofton se kontrollet në territor do të vijojnë me qëllim goditjen e kultivimit të bimëve narkotike dhe identifikimin e personave të përfshirë.

Njoftimi i Policisë

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër dhe komisariatet në varësi, vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Si rezultat i kontrolleve:

Në njësinë administrative Shosh, në fshatin Ndrejaj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër konstatuan 768 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Gjatë ndërhyrjes, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi P. M., 53 vjeç, banues në fshatin Ndrejaj.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së këtij shtetasi, u gjetën dhe u sekuestruan 80 kubikë të dyshuar cannabis sativa.

Ndërsa, në njësinë administrative Kelmend, në fshatin Vukël, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe konstatuan 1250 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", pasi u konstatua në afërsi të parcelës me bimët narkotike.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. B., 65 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Vukël.

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Poll