
Fluksi i lartë i automjeteve që po lëvizin drejt qyteteve dhe zonave turistike të juglindjes së vendit ka sjellë trafik të rënduar në aksin kombëtar Tiranë–Rrethrrotullimi i Bradasheshit–Elbasan.
Qarkullimi është ngadalësuar veçanërisht në hyrje të Elbasanit dhe në zonën e rrethrrotullimit të Bradasheshit, ku bashkohen disa akse rrugore dhe fluksi i mjeteve është më i lartë.
Shumë qytetarë nga Tirana kanë zgjedhur fundjavën për t’u nisur drejt destinacioneve turistike të juglindjes, si Pogradeci, Korça, Prespa, Dardha dhe Voskopoja, duke sjellë rritje të numrit të automjeteve në këtë aks rrugor.
Në fluksin e qarkullimit kanë ndikuar edhe automjetet e emigrantëve dhe vizitorëve që ndodhen në Shqipëri në këtë periudhë të sezonit veror.
Për shkak të numrit të lartë të mjeteve, lëvizja është zhvilluar me ritme të ngadalta, duke shkaktuar vonesa në qarkullim.

