
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në qytetin e Lezhë, ku policia ka vënë në pranga një 28-vjeçar të dyshuar për tentativë vrasjeje ndaj nënës së bashkëjetueses së tij.
Sipas burimeve hetimore, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:05, në lagjen “Skënderbeg”, kur i riu ka shkuar me automjet për të marrë bashkëjetuesen e tij. Në atë moment kanë dalë familjarët e saj dhe, për motive që dyshohet se lidhen me marrëdhëniet familjare, 28-vjeçari ka përplasur me automjet nënën e bashkëjetueses, shtetasen K.H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Pas ngjarjes, ai është larguar nga vendi i aksidentit, por është identifikuar dhe arrestuar më pas nga policia. Autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.

