Krimi i organizuar në Bashkimin Evropian po depërton gjithnjë e më shumë në ekonominë ligjore, duke përdorur kompani dhe struktura biznesi për të fshehur aktivitetet kriminale dhe për të pastruar fitimet e paligjshme.
Sipas raportit më të fundit të Europolit, 85% e rrjeteve kriminale aktive në BE përdorin kompani ose biznese të ligjshme për të mbështetur, lehtësuar ose fshehur veprimtarinë e tyre kriminale. Raporti thekson se ekonomia ligjore mbetet një nga objektivat kryesore të mafias dhe grupeve të organizuara kriminale.
"Ekonomitë tona mbeten thellësisht të ndjeshme ndaj infiltrimit nga krimi i organizuar. Nuk po flasim për banda rruge, por për sindikata shumëkombëshe të krimit", deklaroi Komisioneri Evropian për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner.
Raporti evidenton se rrjetet kriminale përdorin bizneset për pastrim parash, fshehje të aktivitetit të paligjshëm, shmangie të kontrolleve dhe zgjerim të ndikimit të tyre në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Sipas Europolit, në territorin e Bashkimit Evropian veprojnë 731 rrjete kriminale aktive me mbi 400 mijë anëtarë nga 118 kombësi të ndryshme. Trafikimi i drogës mbetet aktiviteti kryesor kriminal, ndërsa mashtrimet financiare dhe ato online janë në rritje.
Autoritetet evropiane paralajmërojnë se lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të kufizohet vetëm te arrestimi i drejtuesve të grupeve kriminale, por duhet të synojë edhe goditjen e rrjeteve financiare dhe kompanive që përdoren për të mbështetur aktivitetin e tyre.Versus.al

