
Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ajrore ndaj disa objektivave ushtarake në Iran, pasi akuzuan Teheranin për shkelje të armëpushimit dhe për një sulm me dron ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) bëri të ditur se gjatë operacionit janë goditur objekte për magazinimin e raketave dhe dronëve, si edhe pozicione radarësh bregdetarë.
Sipas autoriteteve amerikane, sulmet u ndërmorën si përgjigje ndaj incidentit të së enjtes, kur anija tregtare “Ever Lovely”, me flamur të Singaporit, u godit pranë portit të Dahit në Oman.
Uashingtoni e cilësoi operacionin si një përgjigje ndaj veprimeve që, sipas tij, rrezikuan lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve detare më të rëndësishme në botë.
Nga ana e autoriteteve iraniane nuk ka ende një reagim zyrtar lidhur me sulmet amerikane.

