
Pas një ngjarjeje të rëndë në fshatin Munellë të Pukës, ku një person qëlloi me armë zjarri pranë banesës së tij, fermeri Erjon Nikolli ka dhënë deklarata për media, duke ndarë frikën dhe tronditjen që ka përjetuar familja e tij.
“U zgjuam me krisma armësh. Në shtëpi isha me bashkëshorten, kunatën dhe fëmijët. Jemi të traumatizuar, nuk mund ta besojmë që ndodhi diçka e tillë,” tha Nikolli.
Ai theksoi se është një fermer i ndershëm, i cili pas kthimit nga emigrimi ka investuar në blegtori për të ndërtuar jetën në vendin e tij.
“Kam pasur vetëm një debat verbal me një bashkëfshatar. Nuk dua probleme. Kam ardhur për të punuar dhe për të jetuar i qetë. Thirrja ime për shtetin është e qartë: më mbroni,” shtoi ai.
Ngjarja ka lënë gjurmë të thella edhe te bashkëshortja e tij, e cila është në muajin e nëntë të shtatzënisë.
“Jam në një gjendje shumë të vështirë emocionale. Kjo që na ndodhi është e tmerrshme. Kërkoj të merren masa sa më parë,” u shpreh ajo.
Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur disa gëzhoja dhe një mesazh kërcënues të shkruar mbi një gur: “Ik se do të vdesësh.” Hetimet janë ende në vijim, ndërsa deri tani nuk ka persona të ndaluar./Versus.al







