AKTUALITET /

I akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjas arrestohet në Orikum i shumëkërkuari “Pole Qorri”

Ai është kapur në Orikum dhe në momentin e arrestimit iu gjetën dhe 2 pistoleta. 

Shkruar nga Versus
I akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjas arrestohet në Orikum i
Flodian Plaku/ Gentjan Bejtja

Pas një operacioni të mirëkoordinuar mes forcave operacionale dhe Policisë së Vlorës, është arrestuar ditën e sotme Flodian Plaku, i shpallur në kërkim për vrasjen e ish-policit Gentjan Bejtja, ngjarje e ndodhur më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë, Krujë.

I njohur dhe me nofkën 'Pole Qorri', Plaku u kap në Orikum dhe në momentin e arrestimit iu gjetën dhe 2 pistoleta. 

Arrestimi i Plakut  vjen pas dy muajsh hetimesh intensive, të cilat çuan në identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit në qytetin e Vlorës.

Sipas hetimeve paraprake, Plaku dyshohet se ka vepruar si vrasës me pagesë, i angazhuar për të eliminuar Bejtjan në kuadër të një hakmarrjeje të porositur.

Më herët për të njëjtën ngjarje është arrestuar edhe Ilir Beqaraj, kunati i Roan Brahimit, një emër i njohur për autoritetet, i cili dyshohet se ka pasur rol organizativ në atentatin ndaj Bejtjas.

Gentjan Bejtja, viktima e atentatit, kishte precedentë penalë dhe pista kryesore e hetimit lidhet me larje hesapesh mes grupeve kriminale, ndërsa ngjarja është konsideruar si pjesë e një zinxhiri hakmarrjesh që përfshin të tjera atentate në zonën e Krujës dhe më gjerë.

SPAK dhe Prokuroria e Krujës janë përfshirë në hetimin e thelluar të kësaj çështjeje, e cila mund të çojë në zbërthimin e një rrjeti më të gjerë kriminal, të specializuar në atentate me pagesë./Versus.al

 

Poll