Apeli i GJKKO-së ka vendosur këtë të enjte rikthimin në burg të ish-ministrit Lefter Koka, në kuadër të procesit gjyqësor për aferën e inceneratorit të Tiranës.
Vendimi vjen pasi Apeli bëri përllogaritjen e kohës së mbetur të dënimit, duke arritur në përfundimin se Kokës i kanë mbetur edhe 6 muaj për të vuajtur në qeli.
Në prill të këtij viti, GJKKO dënoi ish-ministrin me 3 vite burg për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 2 vite, të cilat në atë kohë u konsideruan të shlyera përmes periudhës së paraburgimit.
Megjithatë, Apeli i Posaçëm ka rivlerësuar kohën e ekzekutimit të dënimit dhe ka vendosur që ish-ministri duhet të rikthehet në institucionin e vuajtjes së dënimit për të përfunduar edhe 6 muaj burg.
SPAK kishte kërkuar 4 vite burg për Kokën në këtë çështje, ndërsa ai akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me procedurat e inceneratorit të Tiranës.
Koka ishte arrestuar në dhjetor 2021 për aferën e inceneratorit të Fierit, ku akuzohet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Sipas SPAK-ut, në këtë skemë u paguan miliona euro për punë të pakryera, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.
Ndërkohë, në korrik 2025, ish-ministri kishte përfituar lirimin me kusht për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ndërsa proceset gjyqësore ndaj tij vijojnë edhe për dosje të tjera të lidhura me inceneratorët./Versus.al

