Një skandal i rëndë me përmbajtje etnike ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut, gjatë ndeshjes parakualifikuese për Kampionatin Botëror të Basketbollit mes kombëtareve të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës.
Atmosfera në palestër u njollos rëndë nga kore të hapura anti-shqiptare, të bërtitura nga një pjesë e tifozëve vendas. Ato u dëgjuan qartësisht gjatë ndeshjes, pavarësisht pranisë së drejtuesve më të lartë të shtetit, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Komunës së Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Jashtëm Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviç.
Në një prej refrenëve që u përsërit në kor, dëgjohej:
“Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket. Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër.”
Por situata përshkallëzoi edhe më tej, kur u dëgjuan thirrje të rënda si:
“Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, duke rikthyer retorikën e urrejtjes që sjell në kujtesë periudha të errëta historike.
Fakti që këto deklarata të rënda u bënë në prani të zyrtarëve të shtetit, pa asnjë reagim apo ndërhyrje nga autoritetet përgjegjëse, ka shkaktuar indinjatë të gjerë publike, sidomos mes komunitetit shqiptar në Maqedoni dhe në rajon.
Ngjarja ka nxitur reagime të forta në rrjete sociale dhe pritet që organizatat për të drejtat e njeriut, përfaqësuesit politikë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të kërkojnë sqarime urgjente dhe masa konkrete për të ndaluar gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen e dhunës në ngjarje sportive dhe në jetën publike. /Versus.al/







