AKTUALITET /

I dënuar me burgim të përjetshëm, Florenc Çapja ekstradohet nga Dubai! Armik i përbetuar i Suel Çelës

Shkruar nga Versus

I dënuar me burgim të përjetshëm, Florenc Çapja

Ditën e sotme ekstradohet në Shqipëri Florenc Çapja, i dënuar me burgim të përjetshëm për porositjen e vrasjes së babë e bir Nezir dhe Gentian Beqiraj në 2012-ën.

Pritet që Çapja të mbërrijë në Rinas rreth orës 16:00 pas ekstradimit nga Dubai ku ishte arrestuar muaj më parë. Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjas dhe njihet si kundërshtar i të shumëkërkuarit Suel Çela në Elbasan.

Ai gjithashtu akuzohet si porositës i atentatit të dështuar ndaj ish-policit Fadil Mema në 2006-ën si dhe për planifikimin e vrasjes së parealizuar të Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini.

“Në vijim të bashkëpunimit mjaft të mirë me partnerët, si në aspekte hetimore, ashtu dhe në ato operacionale, dhe si rezultat i shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit mes strukturave të specializuara për lokalizimim dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin, pasditen e sotme, do të finalizojë me sukses një tjetër fazë të operacionit ndërkombëtar të koduar "The Wanted". Në kuadër të këtij operacioni, pritet që pasditen e sotme, të finalizohet me sukses ekstradimi nga Dubai, i të shumëkërkuarit F. Ç., 44 vjeç, banues në Elbasan”, thuhet në njoftimin zyrtar.   

Ish-shefi i Rrugores së Elbasanit, Fadil Mema arriti t’i shpëtonte atentatit , por mbeti i plagosur me armë zjarri. Më pas u vra në Torino të Italisë në 2015-ën teksa shpërndante gazeta. Si porositës dyshohen fisi Çapja, por nuk ka prova direkte ndaj tyre.

Gjithashtu për motive hakmarrje njëjtë si për ish-policin, Ardian dhe Florenc Çapja akuzhen se porositën vrasjen e babë e bir Gentian dhe Nezir Beqiri në gusht të 2012-ës pasi kishin dyshime se Gentjani, i afërm i Fadil Memës, ishte një prej atentatorëve në vrasjen e Sokol Çapjas në 2005-ën.

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka lënë në fuqi më 15 nëntor 2023 vendimin e shkallës së parë duke dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun, nën akuzën e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit në 15 gusht të vitit 2012.

Ndërkohë, emri i Florenc Çapjas përmendet edhe në dosjen “Plumbi i Artë’ pas dëshmive të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani i cili shprehej se kishte marrë porosi prej tij për të kryer vrasje.  Në përgjimet e zbardhura në SkyEcc pas goditjes së organizatës kriminale të Suel Çelës, u zbulua sesi ky i fundit planifikonte vrasjen me sniper të Ardian Çapjas, atentat që mbeti në tentativë.

Aktualisht Ardjan Çapja ndodhet në burg ku po vuan dënimin e përjetshëm. Shteti ka konfisktuar disa pasuri të Florenc Çapjas, konkretisht 4 banesa dhe 1 aktivitet tregtar me sipërfaqe 4710 m2, të ndodhura në Elbasan dhe në Pogradec. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: