
Restoranti “Royal Blue” në Patok ka dalë me qira për 2 milionë lekë të vjetra në muaj. Ky biznes që i kaloi në administrim të shtetit pasi u sekuestrua si një ndër pasuritë e paligjshme të baronit të drogës Gëzim Çela, tashmë është gati për shërbim.
"Godina ndodhet në zemër të Patokut, një ndër zonat më të frekuentuara, ku ofron ambiente moderne, të përshtatshme për shfrytëzim komercial ose turistik"- thuhet në njoftimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Raportohet se biznesi është në pronësi të Nerim Çelës, nipit të trafikantit Gëzim Çela i cili u arrestua në Ferizaj më 8 dhjetor të 2023-it dhe më pas u ekstradua për në Shqipëri ku do të përballet me procesin gjyqësor ndaj tij.
Restoranti përdorej si një strehë e përkohshme për të ruajtur lëndën narkotike. Grupi kriminal u godit gjatë operacionit ‘Flakët në det’.
Vendimi i GJKKO për sekuestrimin e restorantit dhe barit:
Gjykata e Posaçme me vendimin nr.27 datë 09.10.2023 ka vendosur sekuestrimin e 11 pasurive të trafikantëve të drogës, mes tyre dhe restorantin në fjalë:
- Shoqëria “Royal Blue” Sh.p.k, e themeluar në datë 26 Tetor 2022 me administratore dhe ortake të vetme me 100% të kuotave shtetasen Miralda Thartori, me objekt aktiviteti Bar Restorant dhe adresë Lezhë, Laç, Qarku Lezhë, Bashkia Laç, Njësia administrative Fushë-Kuqe, Fshati Patok, Pasuria nr. 1759, Zona kadastrale 1673.
Thartori dhe Nerim Çela sipas të dhënave në QKB rezultojnë aksionerë me nga 50% në këtë biznes. Megjithatë tashmë restoranti është në administrim shtetëror dhe kushdo që interesohet mund të tentojë ta marrë me qira duke kontaktuar Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Versus.al






